AP i Shqipërisë zgjidhet në Këshillin Administrativ të Ombudsmanëve të Mesdheut
Në 11 dhe 12 qershor në Paris, Francë, u zhvillua takimi i gjashtë i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (Association des Ombudsmans de la Mediterranee/ AOM).
Në mbledhje u zgjodhën organet e reja drejtuese të kësaj organizate, Bordi Drejtues dhe Këshilli Administrativ. Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani, u zgjodh me votë unanime të përfaqësuesve, një nga 5 anëtarët e Këshillit Administrativ, organi që diskuton dhe përcakton prioritetet dhe kalendarin e veprimeve të AOM.
AOM është një organizatë e krijuar në 2008 dhe ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendet e Mesdheut. Ka 28 vende anëtare: Francën, Italinë, Spanjën, Portugalinë, Greqinë, Marokun, Maltën, Algjerinë, Kroacinë, Slloveninë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Izraelin etj. dhe 5 shtete me statusin e vëzhguesit.
Tema e takimit të Parisit ishte “Fuqizimi i rolit të Ombudsmanit” dhe u shkëmbyen eksperienca lidhur me autoritetin e Ombudsmanëve ndaj administratës publike, rolin e tij ne promovomin dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerabël, ndikimin e këtij institucioni në edukimin dhe informimin e publikut lidhur me të drejtat e njeriut, – bëri të ditur zyra e shtypit. (në foto, strehimi i fëmijëve romë në zyrat e AP në dimrin e këtij viti)