E Diel, 1 Nëntor 2026

AP i bën apel Ministrisë së Shëndetësisë: Monitoroni gjendjen shëndetësore të romëve

igliAvokati i Popullit, Igli Totozani, duke u ndalur sërish në çështjen e familjeve të komunitetit rom, mbetur pa strehim, i është drejtuar me një rekomandim Ministrisë së Shëndetësisë, për marrjen e një serë masash në ndihmë të këtyre familjeve.

Avokati i Popullit rekomandon marrjen e masave për trajtimin dhe asistencën e vazhdueshme shëndetësore për pjesëtarët e komunitetit rom në kampin e ish-Dekorit.

Sipas Totozanit, Ministria e Shëndetësisë duhet të angazhojë strukturat në varësi të saj për monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes shëndetësore të këtyre banorëve.

Në përputhje me nenin 22, të Ligjit Nr.8454 datë 04.02.1999 Për Avokatin e Popullit, i ndryshuar me Ligjin Nr.9398 dt.12.05.2005, ku thuhet se: Organet të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar një rekomandim, kërkesë apo propozim për shkarkim, duhet ta shqyrtojnë rekomandimin, kërkesën apo propozimin për shkarkim dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit të rekomandimit, kërkesës apo propozimit për shkarkim. Përgjigja duhet të përmbajë shpjegime të arsyetuara për çështjen në fjalë, si dhe çfarë veprimesh, mosveprimesh apo masash ka ndërmarrë ai organ, kërkojmë të vihemi në dijeni brenda afatit 30 ditor për qëndrimin tuaj, ndaj këtij rekomandimi, thekson Avokati i Popullit./A.XH

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›