E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmet, Pallati i Kulturës i kthehet Bashkisë. Mitropolia: Klerikët u dhunuan barbarisht

perSagës së lirimit të Pallatit të Kulturës në Përmet, i ka ardhur fundi pas shumë viteve.

Përmbarimi ka vendosur të zbatojë urdhërin e gjykatës për largimin e Kishës Ortodokse nga Pallati i Kulturës Naim Frashëri.

Përmbaruesit kanë larguar nga Pallati i Kulturës, gjysma e të cilit është shembur, ikona të kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera.

Por, ata kanë hasur në kundërshtimin e priftërinjve ortodoksë, të cilët kanë pasur me vete si mbështetje edhe disa besimitarë. Pavarësisht kësaj, përmbaruesit kanë vijuar punën e tyre.

Kryetar i zyrës Përmbarimore, Fatos Alimadhi deklaroi se përfaqësuesit e kishës kanë përdorur forcën dhe presione për të bllokuar punën.

Pallati i Kulturës në Përmet është bërë objekt konflikti për vite me radhë, pasi Kisha Ortodokse pretendon pronësinë e saj, pavarësisht se të gjitha shkallët e gjykatave i kanë dhënë të drejtë Bashkisë së Përmetit, e cila ka në pronësi këtë objekt.

Pas zbatimit të vendimit të gjykatës ka reaguar edhe Mitropolia e Gjirokastrës, sipas së cilës, klerikët janë dhunuar barbarisht.

Sot në Përmet, Komuniteti Orthodhoks u bë dëshmitar i shkeljes më brutale të çfarëdo nocioni mbi demokracinë, të drejtat e njeriut, në veçanti atij të ushtrimit të lirë të besimit, siç sanksionohet në Kushtetutë, si edhe të kushteve elementare që duhen garantuar për të në kuadrin e shtetit të së drejtës së barabartë. 

Që në mëngjes, sot e premte, 16 gusht 2013, dhe ndërsa i tërë Komuniteti Orthodhoks vazhdon përjetimin e së Kremtes të Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, Pashkës së Verës, grupe paramilitare (me ndihmën e nëpunësve të Bashkisë dhe me mbështetjen e heshtur të autoritetit bashkiak), me pretekstin se trajtonin një çështje gjyqësore, ushtruan dhunë shumëformëshe në dëm të klerikëve dhe besimtarëve të Përmetit. 

E gjithë Kisha jonë është në krah të besimtarëve të Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari në Përmet, proteston sepse sot: 

- u rrahën në mënyrë barbare klerikët e atij qyteti 

- u penguan në mënyrë të dhunshme besimtarët që të hyjnë në kishën e tyre dhe të kryejnë detyrat e tyre të besimit 

- u grabitën sende të asaj kishe me pretekstin e përmbarimit të vendimeve gjyqësore të cilat ndërkaq janë parashkruar 

- sakrilegje të rënda ngaqë u vu dorë mbi sende të shenjta të kishës (ikona, enë të adhurimit etj) 

- forca që spekulojnë me procedura të ndryshme ligjore faktikisht synojnë largimin e dhunshëm të besimtarëve nga vendet e tyre të adhurimit. Me ligjë të posaçëm shteti ka ratifikuar Marrveshjen midis Këshillit të Ministrave dhe KOASH ku i jipet prioritet pikërisht garantimit të lirisë së të gëzuarit të vendeve të shenjta dhe ceremonive të adhurimit. 

Ngremë zërin e protestës dhe njëherësh shprehim këmbënguljen tonë se nuk kemi për të braktisur përpjekjen me çfarëdo mjeti dhe metode që e drejta e jonë e pronës dhe e përdorimit të lirë të Kishës së Enorisë së Hyrjes në Tempull të të Tërëshenjtës Mari të realizohet plotësisht. 

Kërkojmë që forcat e errëta të dala jashtë çdo kontrolli të shtetit të së drejtës dhe frymës së tolerancës dhe kohezionit të shoqërisë që kryen aktet e sotme të dhunshme të marrin dënimin e merituar nga ligji. Nga Klerikët e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës- thuhet në deklaratë. /b.l

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›