E Shtunë, 31 Tetor 2026

AP tryezë për romët e dëbuar, Sequi: Vendorët të sigurojnë strehimin

TIRANE- Avokati i Popullit organizoi sot një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar në lidhje me situatën e krijuar me komunitetin Rom që banon në zonën e ish-Dekorit (Rruga e Kavajës).

Avokati i Popullit, Igli Totozani gjatë fjalës së tij, u shpreh se ‘romët po kalojnë momente të vështira, ndërsa dëbimi i tyre nuk është bërë në mënyrën e duhur”.
Lidhur me kallëzimet për këtë rast, Totozani shprehet se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj t’i hetojë.

“Fillimisht kanë qenë 67 familje, 30 u larguan, 37 familje kanë mbetur pa mundësi strehimi, koha nuk pret, duhet zgjidhje”, tha ai.

Në këtë treyezë të rrumbullakët marrin pjesë institucione shtetërore dhe komunitetit ndërkombëtar.Ambasadori i BE, Z. Sequi dhe përfaqësuesja e OKB në Shqipëri, Znj. Touimi-Benjelloun si dhe ambasadorë të tjerë.

SEQUI: NJË NGA 12 PRIORITETET E INTEGRIMIT, PËR TË DREJTAT E ROMËVE
Gjatë diskutimeve në këtë tryezë, ambasadori I BE-së, Etore Sequi tha se BE mbështet përfshirjen sociale të romëve.
Sipas tij, ky komunitet duhet të ketë shanse të barabarta si gjithë të tjerët.

Sequi kujtoi se “një nga 12 prioritetet e integrimit është për drejtat e romëve”

Ambasadori i BE-së, shtoi më tej se, ‘BE i ka akorduar 3 milionë euro Shqipërisë për romët”, ndërsa shtoi se institucionet duhet të bashkëveprojnë. 

Sipas ambasadorit Sequi autoritetet vendore duhet të konsultohen para dëbimit të romëve, si dhe të gjejnë zgjidhje në rastet kur ata dëbohen.
“Autoritetet të sigurohen për zgjidhje ligjore”, tha Sequi ndërsa përgëzoi Avokatin e Popullit për përkrahjn e tij.

OSBE, WILTON: MBËSHTESIM PROPOZIMET E AV.POPULLIT PËR ROMËT
Gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit, kreu në detyrë i prezencës së OSBE-së, Robert Wilton theksoi nevojën e diskutimit mes palëve për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për çështjen e romëve.

Ndërsa shprehu shqetësim për dëbimin e romëve nga strehimet e tyre, zoti Wilton tha se OSBE-ja mbështet propozimet e Avokatit të Popullit. Ai theksoi rëndësinë që romët të regjistrohen, të marrin ndihmë ekonomike dhe të strehohen. 

OKB, BENJELLOUN: EKZISTON MUNDËSIA PËR ZGJIDHJE, TË KETË BISEDIME
E pranishme në takim, përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Znj. Touimi-Benjelloun theksoi se ekziston mundësia për zgjidhjen e çështjes së romëve, përmes bisedimeve mes palëve. Përfaqësuesja e OKB-së kërkoi përmirësim të mirëqenies së romëve në Shqipëri. 

TOTOZANI: GJENDJA E ROMEVE, SHQETESUESE
Ndërsa në përfundim të tryezës, Avokati i Popullit, Igli Totozani ka bërë sërish apel për zgjidhjen e situatës së krijuar me familjet e dëbuara të komunitetit rom.

“Gjendja e tyre është emergjente, shqetësuese dhe mjaft e rrezikshme, prandaj duhet të zgjidhet sa më parë”, tha ai, ndërsa shtoi se AP prej një viti propozon regjistrimin e këtyre banorëve.
(m.a/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›