E Diel, 1 Nëntor 2026

APRIAL: Në provime kopjuan 220 maturantë u kemi ulur pikët

TIRANE-Mbërrijnë në shkolla përgjigjet e maturantëve, të cilët nuk gjenin dot rezultatet e tyre në përfundim të provimeve të Maturës Shtetërore. Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të shtyjë sërish afatin e plotësimit të Formularit A2, deri me datë 6 gusht, duke u krijuar kështu mundësinë edhe kësaj kategorie maturantësh ta plotësojnë atë pa u nxituar.
Drejtori i APRIAL, Arben Fagu, shprehet se përgjigjet e tyre u vonuan, pasi për një pjesë të tyre dyshohej se kishin kopjuar, dyshim i cili u vërtetua nga KOPOTED-i, komisioni që verifikon rastet e dyshimta. "është verifikuar se vetëm 220 maturantë, nga rreth 32 mijë që iu nënshtruan provimeve të maturës, kanë kopjuar. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Fieri, Elbasani dhe Pogradeci, - ka shpjeguar kreu i APRIAL, Fagu. - Gjatë korrigjimit të testeve, u vu re se disa nxënës kishin dhënë përgjigje identike për pyetje të caktuara, nga verifikimi doli se ata kishin qenë në të njëjtën sallë, pra ishin të së njëjtës klasë, gjë që tregon se ata kanë kopjuar. Kjo kategori nxënësish është penalizuar duke u hequr pikët e përgjigjeve që kanë kopjuar dhe u është dërguar si rezultat final vetëm pikët për përgjigjet që nuk kanë kopjuar", - ka shpjeguar ai. Sipas Fagut, sigurisht që faj për kopjimin kanë administratorët e sallave, të cilët po evidentohen dhe ndaj tyre do të merren masa administrative, duke filluar që nga përjashtimi nga procedura e Maturës Shtetërore për vitin e ardhshëm e deri tek vërejtja me paralajmërim për pushim nga puna. Ndërkohë që një pjesë shumë e vogël testesh kanë mbetur pa të 'zotët', pasi u është dëmtuar kodi i sigurisë. Pas rikorigjimit testet janë dërguar nëpër drejtoritë arsimore rajonale, dhe gjatë ditës së djeshme përgjigjet e testeve të munguara kanë shkuar nëpër shkollat përkatëse.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›