ARMO hedh në treg naftë eurodizel
Nafta e cilësisë së lartë tani nuk do sigurohet vetëm nga importi, ajo tashmë mund të prodhohet në vend nga kompania ARMO. Prodhimi i naftës së cilësisë së lartë do të ndikojë edhe në uljen e çmimit të naftës së importuar. Lajmi është bërë publik dje nga drejtori i kompanisë ARMO, Rezart Taçi, i cili deklaroi se pas një investimi serioz, u bë i mundur prodhimi i naftës eurodizel në vend. Kompania ARMO ka hedhur në treg për herë të parë naftën e cilësisë së mirë ose ndryshe eurodizelin. Drejtuesit e kompanisë shpjegojnë se nafta ka përqindje shumë të vogël squfuri, çka e bën me cilësi më të mirë se ajo e importit. Tre muaj pas privatizimit, kompania ARMO hedh në treg për herë të parë pas 30 vjetësh naftën e cilësisë së mirë, e njohur ndryshe si eurodizel. Nafta vendase ka një përqindje shumë të vogël squfuri, çka bën që cilësia e saj të jetë shumë më e mirë se eurodizeli i importit. Rezart Taçi, drejtor i kompanisë ARMO, tha se nafta ka cilësi të lartë. “Nga analizat që kemi bërë deri më tani rezulton që eurodizeli ka parametra më cilësorë se eurodizeli që importohet nga tregjet ndërkombëtare. Objektivi tjetër i kompanisë ARMO është që të arrijmë afër zeros përqindjen e squfurit në eurodizelin tonë”, - tha Taçi. Drejtuesit e kompanisë ARMO bëjnë të ditur se hedhja në qarkullimin e eurodizelit vendas do të ndikojë në uljen e çmimeve, çka do të jetë me përfitim për konsumatorët. Ndër të tjera, drejtori i kompanisë ARMO tha “ne do të dyfishojmë kapacitetin prodhues të kompanisë ARMO, kjo gjë do të ndikojë edhe në çmimet e eurodizelit që do të prodhojë kjo kompani”. Për të mundësuar prodhimin e eurodizelit, konsorciumi “Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group”, i cili është edhe pronari i ri i kompanisë ARMO, po realizon një investim, që vetëm në dy vitet e parë do të arrijë në 100 milionë euro.
AMC mbështet ngritjen e Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë
AMC prezantoi këtë vit, për herë të parë në Shqipëri, projektin e kontributit nëpërmjet mesazheve, i quajtur “Mesazhe shprese”. Në kuadër të tij, kompania AMC i dhuroi Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione” një shumë të konsiderueshme nga të ardhurat e grumbulluara prej SMS të Vitit të Ri. Kontributi i AMC do të ndihmojë Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë për ngritjen e “Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë”, misioni i së cilës është trajtimi i fëmijëve me vështirësi në zhvillim, me fokusin tek fëmijët që vuajnë nga autizmi dhe çrregullimet e sjelljes. Në ceremoninë e dhurimit morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i AMC, zoti Stefanos Oktapodas, dhe Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, zonja Liri Berisha, të cilët nënshkruan edhe marrëveshjen e bashkëpunimit. Zoti Oktapodas shprehu kënaqësinë e tij dhe të kompanisë që përfaqëson për t’u përfshirë në projekte të tilla kaq të rëndësishme për jetën e fëmijëve me vështirësi zhvillimi. “Është pjesë e filozofisë sonë së biznesit dhe e të gjithë grupit Cosmote, - deklaroi ai, - që të jemi pranë komunitetit. Jemi të lumtur që jemi pjesë në një projekt kaq të rëndësishëm siç është ngritja e këtij spitali dhe jemi të hapur për një bashkëpunim më afatgjatë për ngritjen e qendrës”. Zonja Berisha falënderoi z. Oktapodas për mbështetjen e vazhdueshme që AMC ka dhënë për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë dhe e njohu atë me ecurinë e punës për ngritjen e “Qendrës Kombëtare Mjekësore për Fëmijë”. “Ngritja e kësaj qendre, - u shpreh zonja Berisha, - është edhe sfida e madhe e Fondacionit të Fëmijëve për dy vitet e ardhshme”. Shuma e dhuruar u mblodh nga SMS që abonentët AMC dërguan nga ora 20:00 e datës 31 dhjetor 2008 deri në orën 08:00 të 1 janarit 2009. Nisma “Mesazh shprese” e AMC synoi që urimet e Vitit të Ri t’i shndërrojë në mesazhe për një jetë më të mirë. Abonentët e AMC luajtën një rol tepër aktiv në këtë projekt. Ata ndihmuan kompaninë në nismën e saj, duke shkëmbyer me SMS urimet e festave. Nisma “Mesazh shprese” e AMC është pjesë e programit të përgjegjësisë sociale të saj, në sektorin e mirëqenies dhe zhvillimit të fëmijëve. Kjo është një nismë e ideuar nga COSMOTE në Greqi që në vitin 1999. Që prej prezantimit të këtij programi, COSMOTE ka mbështetur 14 organizata që kujdesen për fëmijët. Kjo nismë është zbatuar edhe në Rumani, nga COSMOTE Rumani, kompani e Grupit COSMOTE.
Ruli fton sipërmarrjen gjermane të investojë në sektorin e energjisë
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Genc Ruli, u ka bërë thirrje investitorëve gjermanë të vazhdojnë të investojnë në sektorin e energjisë, si një ndër sektorët më atraktivë të vendit. Në takimin e organizuar dje në Tiranë, nga METE me drejtues të bankës gjerman KfW, e cila ka financuar projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës, si linja Elbasan-Podgoricë, Shqipëri-Mali i Zi etj., u diskutua për rritjen e investimeve në sektorin e energjisë. "Shqipëria ka një potencial të madh hidro-energjie nga i cili deri më sot është shfrytëzuar 30-35 % e tij", - tha ministri Ruli. "Kanë kaluar vetëm 2 vjet nga rishikimi tërësor i kuadrit rregullator në fushën e koncesioneve, - tha ministri Ruli, - dhe ja ku jemi së bashku, përfaqësues të institucioneve shtetërore, investitore dhe përfaqësues të institucioneve bankare, për të parë nga afër mundësitë e investimeve private në sektorin hidroenergjetik, arritjet e deritanishme në këtë sektor, problematikat dhe vështirësitë, si dhe ecurinë e zbatimit të kontratave koncesionare". Duke falënderuar qeverinë gjermane dhe KfW për mbështetjen që na kanë dhënë për zhvillimin e sektorit energjetik, Ruli theksoi se zhvillimi i burimeve energjetike në vendin tonë përbëjnë një nga prioritetet e qeverisë sonë dhe një domosdoshmëri për zhvillimin e ekonomisë sonë kombëtare. Ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri, Bern Bohard, nxori në pah bashkëpunimin shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Shteti gjerman ka dhënë gjatë 20 viteve të fundit, për vendin tonë, 800 milionë euro financime, nga të cilat 160 për sektorin e energjisë.