E Diel, 1 Nëntor 2026

Skema e mbështetjeve për fermerët do monitorohet nga donatorët



Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit i ka kërkuar organizatës së qeverisë holandeze, SNV, që në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që kanë mes tyre, ta ndihmojë për procesin e monitorimit dhe vlerësimit të zbatimit të skemave të mbështetjes së prodhimit bujqësor, që do të zbatohen gjatë vitit 2009. Gjatë vitit të fundit, ekipet e SNV-së, me zyrat e përhershme në Fier dhe Dibër, realizuan në bashkëpunim me drejtoritë përkatëse rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, një proces monitorues dhe vlerësues të skemave të mbështetjes së prodhimit bujqësor, të cilat dhanë 5 milionë dollarë tek rreth 2 mijë familje fermere përfituese. Mbi bazën e këtyre rezultateve, ministria ka vendosur që për këtë vit, procesin e monitorimit dhe vlerësimit të skemave ta bëjnë palë të treta, pra të realizohet një transparencë e plotë dhe paanësi objektive në kontroll dhe vlerësim. Për këtë arsye, MBUMK po bashkëpunon me donatorët për monitorimin e skemave mbështetëse, me fonde nga buxheti i shtetit, në mënyrë që ato të realizohen plotësisht dhe të japin rezultate direkte në rritjen e prodhimit bujqësor. SNV-ja është një organizatë holandeze, e cila ka 12 vjet që vepron në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka mbështetur sektorin e pyjeve, turizmin dhe zhvillimin rural.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›