E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditimi, bie kredia në euro, e qëndrueshme në lekë



Bankat e nivelit të dytë po japin më pak kredi këtë fillimviti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ritmet e kreditimit të kredisë kanë rënë. Por kredia që po tërhiqet më pak është ajo në valutë, sidomos në monedhën evropiane, euro. Sipas të dhënave të BSH-së, gjatë muajit janar, kredia e re në monedhën evropiane ishte vetëm 45 milionë euro, më e ulëta në dy vitet e fundit. Gjatë gjithë muajve të vitit të kaluar, kredia e re në euro për ekonominë është luhatur në vlerat 70 deri në mbi 100 milionë euro. Por edhe kredia në valutën tjetër, në dollarë, ka pësuar një rënie. Ekonomia po kreditohet gjithnjë e më pak me euro dhe dollarë. Në janar kredia e re në monedhën amerikane ishte 14 milionë dollarë. Ndërsa kredia në valutë të huaj po pëson tkurrje, ajo në monedhën vendase, lekun, duket se ka qëndrueshmëri. Kredia në lekë vazhdon të ketë të njëjta ritme rritjeje. Sipas të dhënave në janar, kredia e re në monedhën vendase ishte 8.67 miliardë lekë. Banka Qendrore thotë se ulja e ritmeve të kreditimit ndodh për disa shkaqe. I pari është presioni që sjell kriza financiare, e cila i ka bërë bankat më të kujdesshme dhe të kërkojnë garanci më shumë nga klientët për të kredituar. Por edhe vetë kërkesa e bizneseve dhe qytetarëve për kredi duket se është tkurrur, nga interesat më të larta, por edhe nga pasiguria që krijon situata parazgjedhore, e cila ndikon në vendimet e investitorëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›