E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARSIMI: Ministri nënshkruan marrëveshjen për privatësin e të dhënave



Anilejda Shëmbitraku

Ministri Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Flora Çabej Pogaçe. Ruajtja e të dhënave personale do të shtrihet edhe në arsimin e lartë. Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj e bëri këtë deklaratë, pas nënshkrimit të marrëveshjes me institucionin e komisionerit, për mbrojtjen e të dhënave personale. “Insistojmë që dhe në shkollat e larta të mos shpallen më rezultate me emër dhe mbiemër, por vetëm numrat e identitetit, ose matrikulimet që kanë studentët në universitete”, ka deklaruar ministri i Arsimit.

Marrëveshja
“Është shumë e rëndësishme firmosja e kësaj aktmarrëveshjeje, pikërisht angazhimi më pas i kësaj në projekte të përbashkëta ku do të jenë jo vetëm personeli arsimor por dhe prindërit të ingranuar në të, në mënyrë që të ketë një informacion më të qartë, një ndërgjegjësim më të mirë të të gjithë këtyre aktorëve”, u shpreh Floresha Çabej, drejtoreshë e institucionit të Komisionerit, për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ruajtja e të dhënave personale është një projekt që është zbatuar në procesin e Maturës Shtetërore, duke shmangur kështu abuzimet me testet. Ministri Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj theksoi se sistemi arsimor përfshin rreth 850 mijë fëmijë të kopshteve, nxënës, studentë, mësues, pedagogë dhe kërkues shkencorë dhe si i tillë është sistemi që në gjithë veprimtarinë e tij duhet të kujdeset në mënyrë të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale. Tafaj u shpreh se MASH që nga krijimi i institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka kaluar për miratim në instancat më të larta, asnjë akt ligjorë e nënligjorë, pa marrë mendimin e këtij Institucioni.

Bashkëpunimi
Ministri siguroi se bashkëpunimi do të thellohet duke shtuar se MASH jo vetëm për aktet ligjore e nënligjore, por dhe për projekte që zhvillohen në shkolla, ka kërkuar dhe do të kërkojë mendimin e këtij Institucioni. Ministri Tafaj, garantoi Komisioneren Flora Pogaçe për gatishmërinë e interesin maksimal për ta thelluar këtë bashkëpunim në të gjitha format në mënyrë që të garantohen, në çdo aspekt, mbrojtja e të dhënave personale. Nga ana e saj zonja Pogaçe falënderoi për bashkëpunimin e deritashëm me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dhe premtoi bashkëpunim të mëtejshëm në zbatim të ligjit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale.

PENSIONET
Tregu i privatëve, rritet deri në 53%

Tregu i pensioneve private suplementare për vitin 2010 u rrit me 53%, e megjithatë mbetet një treg i vogël. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2010 kontributet në fondet private të pensioneve arritën gjithsej vlerën e 112 milion lekëve. Vetë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vlerëson se tregu ngelet në përmasa modeste krahasuar me të gjitha segmentet e tjera të tregjeve financiare në Shqipëri. Prapambetja e tregut është edhe më e qartë po të shohim numrin e kontribuesve, që në fund të vitit 2010 ishte më pak se 5 mijë, me gjithë një rritje me rreth 12% krahasuar me një vit më parë. Vlera mesatare e kontributeve për individ është 22 mijë lekë në vit, ose më pak se 2 mijë lekë në muaj. Vitin e kaluar parlamenti miratoi disa ndryshime ligjore që parashikonin njohjen si shpenzime të zbritshme të kontributeve për pensionet private në një masë të kufizuar. Kjo masë synonte të nxiste veçanërisht bizneset për të kontribuar apo për të ngritur fonde pensionesh për të punësuarit e tyre.

TAKIMI
Shoqëria civile apel politikës

Dje, 100 organizata të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje klasës politike, të gjejnë sa më parë rrugën e zgjidhjes, pasi, sipas tyre, Shqipëria ka nevojë për stabilitet, shtet ligjor dhe institucione demokratike. Drejtues të organizatave të ndryshme në vend kërkojnë, që të ndërpritet për momentin demonstrimi i forcës nëpërmjet mitingjeve duke e konsideruar atë si një shembull të vjetruar. Sipas tyre, duhet hetuar, pa ndikime politike ngjarja e 21 janarit dhe të vendosen në plan të parë interesat kombëtare dhe interesat e qytetarëve shqiptare, para atyre të partive politike. Në deklaratën e tyre përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë të ndërpritet gjuha e urrejtjes, e cila po u serviret qytetarëve çdo ditë nëpërmjet konferencave për shtyp të politikanëve.

NIVELI I PRIVATËSISË
Përdorni parametrat e këshilluara të privatësisë, duke kufizuar në maksimum gatishmërinë në dhënien e informacionit, mbi të gjitha përsa i përket rishfaqjes së të dhënave me anën e motorëve të kërkimit (Google, Yahoo etj.). Kontrolloni çfarë niveli privatësie ka profili juaj: kush mund t’u kontaktoj,
kush ka akses për të lexuar ato që shkruani, kush mund të futi komente në faqen tuaj të profilit, çfarë të drejtash zotërojnë anëtarët e grupeve të “Rrjeteve sociale” ku jeni regjistruar.

Ligji
Të dhënat personale mbrohen nga Ligji Nr. 9887, datë 10.3.2008 "Për mbrojtjen e të Dhënave Personale" dhe institucioni I krijuar prej tij për këtë qëllim "Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale". Megjithatë të gjithë ne duhet të jemi të kujdesshëm për informacionet që japim për veten dhe të përpiqemi t’i mbrojmë ato në çdo formë.

25 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›