ARTI NUK KA ORIGJINЁ
“Nuk është mirë tё besohet se, po tё shqyrtohet arti
nё prizmin e filozofisё, nuk mund tё thuhet
asgjё e saktё pёr tё; pёrkundrazi, nё kёtё
rrugё mund tё arrihen konkluzione tё drejta,
qё nuk ёshtё e mundur t’i formulojё artisti,
piktori. Pa filozofinë nuk zgjidhen dot as
ato probleme që kanë qenë zgjidhur prej
kohësh, kur s’njihej filozofia dhe
estetika, për shembull, e Antikitetit.”
Etjen Zhilson
Prof. Alfred UÇI
Po tё nisesh nga historia e estetikёs dhe e artit, e shtrirё deri nё kohёn tonё, mund tё pёrveçohen shumё probleme me interes pёr hulumtime tё mёtejshme, si: origjina, bёrja e specifika qensore e artit. Nё njё vёshtrim tё cekёt mund tё duket se tё tre këto probleme janё rrahur e stёrstudiuar; kjo ёshtё e vёrtetё, por arti ndryshon nga njёra epokё nё tjetrёn dhe tipet, llojet e ndryshёm tё tij e bёjnё tё pashmangshёm ballafaqimin e modeleve tё reja e tё vjetra tё tij nё sfondin e gjendjes sё estetikёs, e cila, gjithashtu, nuk mund tё mos interesohet vazhdimisht pёr atё çka ndodh nё art.
Prandaj, nuk ёshtё puna se kёto probleme s’janё studiuar; pёrkundrazi, pёr to janё grumbulluar fakte tё shumta dhe janё dhёnё konkluzione tё drejta, por nuk janё ezauruar gjithё aspektet problemore tё kёtij ballafaqimi tё parreshtur tё ndryshimit dhe zhvillimit tё artit; pёr kёtё arsye, estetika moderne u kthehet po kёtyre problemeve, por nga njё kёndvёshtrim tjetёr, i ri.
* * *
Po pёrmend interesimin qё tregojnё disa estetё pёr origjinёn e artit. Ndonёse ka njё shekull e gjysmё qё shumё shkenca (etnologjia, historia, gjuhёsia, antropologjia etj.) duket se e kanё shterrur nё mёnyrё tё shumanshme studimin për prejardhjen e artit, filozofi gjerman pat shkruar njё esse me titullin “Origjina e artit”, me tё cilёn ka tёrhequr vemendjen, ndonёse nё tё pohon se “arti nuk ka origjinё”. Njё mendim në dukje paradoksal, qё mund tё vlerësohej si mohim nihilist i gjithçkaje ka qenё arritur në estetikë nё studimin e kёtij problemi.
Nё fakt, filozofi gjerman me kёtë pohim synon të theksojë njё aspekt tё ri tё kёtij problemi, qё nuk pat qenё trajtuar mjaftueshёm nё tё kaluarёn dhe që fitoi aktualitet e mprehtёsi nё kushtet e gjallёrimit tё modernizmit e postmodernizmit tё shek.XX. Ai ka dhënë këtë shpjegim plotësues:
”Karakteri i prejardhjes sё artit nuk do tё thotё se diçka i jep origjinёn artit, as se arti buron nga hiçi absolut; karakterin e prejardhur tё artit estetika ia ka mohuar gjithnjё artit. Pёr estetikёn, arti nuk ka qenё i pranishёm nё veprat qё i ekspozohen shikimit estetik nё galeri e muzeume, ku nuk janё mё tё pranishme ashtu siç kanё qenё. Arti ekziston me status–qenien e vet nё perspektivёn e traditave dhe tё konservimit tё tyre.” Ai konkludon se “arti ёshtё i prejardhur nё vetё thelbin e vet”.
Sigurisht, Hajdegeri ka një stil të rëndë: në veprat e tij afirmimi i një ideje të re e të rëndësishme jepet përmes nënkuptimeve dhe, ndonjëherë, në mёnyrё evazive. S’mund të mendohet se Hajdegeri nuk i ka njohur arritjet e studimeve etnologjike, antropologjike, sociologjike të dy shekujve të fundit për origjinën e artit, duke ia mohuar estetikёs trajtimin e origjinёs sё artit, por ai pohon diçka tjetër, që është gjithsesi e vërtetë se në shumë studime tradicionale të këtij problemi është imponuar ideja e gabuar e prejardhjes sё jashtmi tё origjinёs sё artit.
* * *
Kjo prirje ka ekzistuar gjithsaherë, kur nuk është dalluar sociologjia e artit, sidomos sociologjizmi vulgar nga estetika sociologjike. Këtë dallim e ka ditur mirë Hajdegeri, kur ka thënë se arti ёshtё i prejardhur nё vetё thelbin e vet.
Edhe ky mendim mund të keqkuptohet, mund të merret siç e pat kuptuar ai njëanësinë e disa doktrinave sociologjike, të cilat kanë studiuar rolin e faktorёve socialë të jashtёm ekstrartistikё, që i kanë quajtur si të vetmit faktorë përcaktues të lindjes së arteve, duke mos përfillur faktorët e brendshëm artistikë (kulturën artistike) në vetzhvillimin e arteve. Por qysh në fillim të shek.XX, një varg studiuesish (Volflin, Panovski, Voringer, Eko etj.), që e përqëndruan vëmendjen në faktorët thjesht artistikë, të brendshëm implicite, pranonin ndikimin e tyre jo vetëm në vijimësinë e pandërprerë të historisë së arteve, por edhe të kthesave, thyerjeve, çarjeve diskrete përmes vetëzhvillimit të tyre.
Që këtej u përhap edhe koncepsioni që shpalli kalimin “nga arti tek arti”, duke përjashtuar rolin e çdo faktori ekstrartistik.
Këto studime ndikuan për kalimin nga sociologjia e arteve tek estetika sociologjike që, përveç faktorëve socialë ekstrartistikë, u jep rëndësi edhe faktorëve të vetëzhvillimit të brendshëm estetik të arteve dhe të novacioneve, kthesave në historinë e kulturës artistike.
Gjithsesi, historia e arteve nuk përmbledh vetëm ndërprerjet, kthesat, por edhe faktorët socialë që e mbështesin ose e pengojnë realizimin e tyre dhe vijiueshmërinë, traditat e tyre të rinovuara.
Këtë kalim e pat përshëndetur Hajdegeri me formulën e tij, që e përmendëm më sipër, duke çmuar lart e duke theksuar rëndsinë e thelbit dhe të funksionit estetik si në studimet historike, ashtu edhe në studimet teoriko-filozofike të arteve.
* * *
Mbyllja e origjinёs sё artit brenda vetё artit, e shtyu Hajdegerin të mos e lerë shpjegimin e thelbit tё artit dhe tё prejardhjes sё çdo vepre artistike nё zbrazёtinё e asgjёsë, hiçit; nё qoftё se s’ka origjinё, arti gjithsesi ekziston dhe do tё ishte e mangёt teoria e Hajdegerit, madje s’do tё kishte kuptim pёrpjekja e tij pёr tё ndёrtuar doktrinё tё re estetike, e cila ekzistencën e artit ta konceptonte si akt të qenies, si send (dinge) tё bёrë, prandaj i referohej termit të vjetër të greqishtes “poesis”, që kish pasur kuptimin e bërjes, e mjeshtërisë ndërtimore.
Me këtë hap Hajdegeri ringjalli interpetimin ontologjik të artit, të veprës artistike dhe përmendte, si shembull, tablonë “Këpucët” të Van Gogut. Që këtej, Hajdegeri i kushtoi vëmendje të madhe teorisë filozofike të qenies. Shumë studiues e konsiderojnë krejt origjinale teorinë e tij, sidomos për shkak të ringjalljes dhe aplikimit të konceptit të qenies jo vetëm në filozofi, por edhe në estetikë. Pavarësisht nga disa apekte origjinale të këtij koncepti, ai kthehej në fakt tek idetë e filozofisë antike.
Hajdegeri iu drejtua Parmenidit të lashtësisë, i cili me teorinë e të qenit (qenies) dhe të mosqenit (asgjësë, hiçit), përpiqej të provonte se nga hiçi, nga asgjëja nuk lind gjë. Por, për të qëndruar përtej e mbi materialitetin (materializmin) dhe spiritualitetin (idealizmin), Hajdegeri shpresonte e besonte se kuptimin metafizik të “thelbit” të artit, sipas tij, tashmë të çvlerësuar (inflacionuar), do ta zëvendësonte me fjalën e greqishtes arkaike “alétheia”, domethёnё tё diçkaje tjetёr të pafshehshme, pra, të qensishme (ekzistencë thelbësore). Duke mos e mohuar ekzistencën, të qenët e artit, pёrtej sendëzimit dhe thelbit metafizik (simbolit, figurёs, alegorisё etj.) Hajdegeri u pёrpoq ta identifikojё artin, thelbin e tij me hapjen, ndriçimin, të pafshehshmen, të shfaqëshmen, terma që s’kanë kuptim metafizik; vepra artistike pёrbёn një kontrast tё sё dukshmes nё tё padukshmen, domethёnё tё njё gjysmё sё vёrtete.
Vepra artistike, sipas filozofit gjerman, nuk reflekton, por ёshtё ndriçim i sendёsisë tё saj, e barabartё me hiçin dhe tё qenurit, me hapjen e qenies. Hajdegeri nuk e identifikonte sendin, materien (kёpucёt) me botёn, tё cilёn e lidhte me ndriçimin qё lёshon arti - “Kёpucёt”e Van Gogut. Por gjithsesi në këtë rrugë vihet në dyshim ekzistenca, realiteti i artit, që mund të kapërcehej, po të rikujtohej termi “steresis” që e përdori voskopojari T. A. Kavalioti në veprën e tij “Fizika”.
Por për këtë, në vazhdim të studimit tonë, do të ndalemi në numrin e ardhshëm.
6 Prill 2009