Vrasja në Shkodër, identifikohen autorët

Nadir Çuku, u vra gabimisht. Ky ka qenë përfundimi i hetimeve paraprake të policisë së Shkodrës, për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së hënës në një prej rrugëve kryesore të këtij qyteti. Sipas burimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, është arritur zbardhja e plotë e dinamikës së ngjarjes, ndërkohë që janë shpallur në kërkim dy autorët e saj. Burimet policore saktësojnë se autorë të vrasjes janë shtetasit Ilir e Basri Baba, përkaësisht 38 dhe 30 vjeç. 41-vjeçari Nadir Çuku, u qëllua teksa ndodhej në një prej lokaleve në rrugën "Kolë Idromeno". Burimet policore saktësojnë se ngjarja ka nisur me një konflikt mes dy shtetasve të lartpërmendur dhe shtetasit N. Harusha, por më pas ka degraduar në përdorimin e armëvë të zjarrit. Mësohet se pas konfliktit, Ilir e Basri Baba, kanë nxjerrë armët e zjarrit, dhe i kanë shkrehur ndaj N. Harushës, por plumbat kanë qëlluar 41-vjeçarin Çuku. Ai ka marrë plagë të rënda dhe më pas ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit rajonal të Shkodrës. Ndërkohë, dy agresorët, e armatosur, duke përfituar nga errësira, kanë arritur të largohen nga vendngjarja. Ata janë shpallur në kërkim, ndërsa policia ka nisur operacionet për vënien në pranga dhe nxjerrjen para drejtësisë. Pas mbërritjen në vendngjarje policia ka nisur edhe dokumentimin e saj, dhe ka arritur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja model 54 dhe 3 gëzhoja model 56. Ndërkohë ndaj Ilir e Basri Babës janë ngritur akuzat e 'vrasjes me paramendim në tentativë, e kryer në bashkëpunim', 'vrasje në bashkëpunim", dhe "armëmbajtje pa leje".