E Shtunë, 31 Tetor 2026

KATI I FUNDIT...



Vaid HYZOTI

Sa shkela tek “Atria”, mallkova veten e shkollën që kisha kryer, madje desh u ktheva pas. Në korridor, në tërë hapësirën e katit të parë, lëviznin më së shumti nëpër karroca një tufë pleqsh, që ndonëse flisnin me vete, nuk flisnin me njëri-tjetrin. Me një vështrim të shpejtë e përcaktova se më i riu i tyre duhej t’i kish kaluar të tetëdhjetat. Pyeta recepsionisten, një xhamajkane e qethur gati zero, për zyrën e drejtorit. Ndërkaq ajo më kërkoi një tufë të dhënash, nga vija,çfarë kërkoja aty, në kisha lënë takim...
- Kam intervistë me drejtorin, - sqarova paksa e nxehur.
- Ulu atje, prit pak! - më foli disi urdhëruese, mbasi kuptoi se nuk do të sillja gjyshin apo gjyshen që të banonte (ose të vdiste) këtu. Një plakë e dregëzuar në fytyrë iu afrua sportelit dhe pyeti nëse i kish ardhur ndonjë pako. Xhamajkania u çel, duke zbuluar ca dhëmbë të bardhë e të rregullt:
- Më vjen keq, honey, ende jo. Por mos u mundo, po erdhi, jua sjell unë në apartamentin tuaj.
Shihja sportelisten dhe më vinte turp të hapja gojën. Nuk e di nëse zezakët i kanë dhëmbët vërtet më të bardhë, apo na duket ne nga kontrasti me ngjyrën e lëkurës. Sportelistja, siç duket kuptoi se po mendoja për dhëmbët e saj, pasi ende pa ulur telefonin, më dha edhe mua një buzëqeshje e më ftoi:
- Drejtoresha ju pret. Zyra e dytë në të djathtë.
Drejtoresha më priti mirë. Kishte studiuar të gjithë dokumentat që i kisha derguar me e-mail, diplomën time si punonjëse sociale. E vetmja pikë, për të cilën folëm më gjatë, ishte pagesa. Pasi mori dhe “po” nga unë, më tha që mund të filloja që të nesërmen. Zyra ishte e lirë. Pastaj, si t’i kishte mësuar përmendësh, nisi shpejt prezantimin e kompanisë, shërbimet që u ofronte ajo klientëve, emrin e saj të mirë, shpërndarjen në Amerikë dhe në Kanada.
- Klientët tanë janë vetëm hebrenj, - tha. - Madje, edhe themeluesi i kompanisë ka vdekur para dy vjetësh në një shtëpi pleqsh në shtetin e Konektikatit. Po e theksoj këtë fakt, -vijoi, - sepse, përveçse çfarë keni mësuar në shkollë, duhen ca njohuri shtesë për historinë dhe karakterin e hebrenjve. Këtu vijnë të pasurit, prandaj kujdesi duhet të jetë i dyfishtë. Ah, që të mos harroj: në tavolinën tënde të punës ke listën e të gjithë banorëve të apartamentëve. Janë ca si shumë, 113, por sa më shpejt t’i njohësh, aq më e lehtë do të jetë për ty. Këto ditë, fillimisht, mund të shëtisësh të 13 katet e godinës dhe fikso çfarë të mundësh.
- Duke lëvizur nga kati më kat, shoh edhe emrat në secilën hyrje, edhe filloj t’i fiksoj, - fola sa për t’u dukur e interesuar.
- Ah, jo ti... Si e kishe emrin?
- Sabahete, por më thërrisni Sabi, - ia lehtësova vështirësinë e emrit tim për të huajt. Babai kishte ngulur këmbë që mua të më vinin emërin e gjyshes.
- Kështu, Sabi... Ku e lamë? Ah, po, emrat te dera... Ne nuk vemë emra te dera, sepse llagapet e tyre janë të njohura këtu në Nju Jork për bizneset që kanë. Dhe ata kanë dëshirë të mos identifikohen. E kanë për sigurinë e fëmijëve, të cilët vazhdojnë bizneset, por që vijnë aq shpesh të takojnë prindërit e tyre dhe të bëjnë pagesën mujore... Ah, po...
Ndërkohë, ra një telefon dhe ajo nuk vazhdoi më me atë “ah, po”, që e përsëriste vend e pa vend. Shtypi zilen anash tavolinës dhe në derë u dha xhamajkania.
- Njihuni, sociologia e re.
Tjetra më dha një buzëqeshje të plotë me dhëmbët e bardhë, që i hapte si për inatin tim. Si duket e kishte në formën e të kërkuarit të falur, meqë në fillim më kishte pritur paksa ftohtë.
- Endi, - m’u prezantua.
I thashë emërin tim. Duke më uruar, ajo më priu drejt zyrës sime të ardhshme.
Zyra më pëlqeu. U ula në kolltuk, pastaj rrëmova të gjithë sirtarët. Kishte mjaft hollësi nga puna e koleges sime të mëparshme. Dukej se kishte qenë sociologe e zonja. Në regjistrin e banorëve të apartamentëve pashë mbiemra të njohur në të gjithë Nju Jorkun.
Paksa e lodhur, dola në hollin e katit të parë. Një filipinase (si të gjitha, e shkurtër) luante në piano një melodi të Vivaldit. O Zot, sa stononte! Sa mbaroi, pleqtë me duart e fishkura duartrokitën. Nga një qendër zëri u lajmërua se për dhjetë minuta do të hapej bingoja. Në çast, pati një farë gjallërimi nga pleqtë-karroca. Mora ashensorin, si dhe çelësin që hapte çdo dhomë. Do të filloja kat më kat. Sapo u hap dera e ashensorit, një plak i shkurtër, me dy fije flokë të gjata që të mbulonte lekurën e kokës, më përshendeti. I buzëqesha dhe po prisja që të dilte.
- Mund të hyni, në cilin kat do të shkoni?
Mbase e kuptoi që pata një fare trembjeje.
- Jam banori i dhomës 97, më thërrisni Xhimi, mister Xhimi.
U qetësova disi.
- Po ju, mister Xhimi, në katin e 9-të do të shkoni? - e pyeta kot, sa për të provuar veten në më kishte ikur frika.
-Jo, jo, unë shkoj gjithmonë në katin e fundit. Shoh gruan e kthehem. Pastaj shkoj prapë. Kthehem. Marr ashensorin e vete shoh gruan përsëri... Kështu tërë ditën.
M’u duk i rrjedhur. Për moshën e tyre është e pranueshme skleroza, veçse druhesha në mos ishte i rrezikshëm. Si s’po vinte ndonjë tjetër në ashensor, do të më hiqej sadopak frika. Jepi, i dhashë kurajo vetes, je punonjëse sociale, ke bërë psikologji...
- Si thua, honey, shkojmë sëbashku të takojmë zonjën tënde...
- Mos jeni sociologia e re? - më pyeti krejt papritur.
- Po, unë jam, - dhe u prezantova. – Po si e kuptuat?
- Kështu na flasin të gjithë këtu, që nga drejtoresha deri te sanitarët. Të gjithë, një e dy”honey”, por thua kaq mjaltë të jemi për ta?! S’na zë vend kjo ëmbëlsi, kur nuk del nga shpirti.
Mbeta e shtangur. Dera e ashensorit ishte e hapur në katin e fundit dhe ne vazhdonim të flisnim. E mora për të rrjedhur, për sklerotik, por qenka më psikolog se unë që jam e zanatit, mendova.
- Çfarë biznesi ke patur? - s’munda të rri pa e pyetur, duke shkelur me të dyja këmbët urdhërat e drejtoreshës.
- Gjithë jetën kam punuar violinist.
Më përmendi një numër të madh filmash të vjetër, ku ai kishte interpretuar me orkestrën. Po e vlerësoja shumë për çiltërsinë e të rrëfyerit, pasionin për artin.
Sinjali i derës së ashensorit më solli në vete. Ose duhet të zbrisnim prapë, ose të qëndronim e të vizitonim katin e fundit, ku apartamentet ishin si dhoma spitali për ata të sëmurë, të cilëve u është prerë shpresa për jetën.
- Ku është zonja juaj? - u kujtova, se ky kishte qëllimi pse kisha ardhur në këtë kat.
-Ja, ajo... - zgjati dorën pa guxuar të afrohej dhe tëmthat i rrihnin mbi vetulla.
Në një krevat të lartë prej hekuri, mbërthyer në serume dhe tuba për ilaçet, qëndronte me sytë gjysmë të mbyllur një grua çehreprishur. As jepte, as merrte dhe vetëm nga një lëvizje e lehtë dallohej se ende ishte në jetë
- U bënë tre muaj kështu. As ha, as pi. Po vuan shumë! Nuk më njeh, nuk thotë një fjalë...
Teksa më fliste, e ndjeva që mezi po e përmbante veten.
- Ikim. Vijmë përsëri më vonë, - e tërhoqa nga krahu për në ashensor.
- Ja , të të përcjell ty, se unë këtë punë kam. Do të vij prapë. Druaj se po më ikën pa më parë. Ma thotë zemra se do të bëhet mirë pas pak, sa të më shohë dhe të lemë pikëtakim në botën tjetër. Se edhe atje bashkë do të jemi! Ah, ta dish, kam patur jetë të lumtur me të. S’ka qenë siç e pe ti, e rrëgjuar, por zonjë e madhe...
Nga xhepi i xhupit të gëzoftë, që e mbante veshur, nxori një tufë fotografish.
- Shihe, kur u martuam! Kjo tjetra në një udhëtim në Paris. Këtu kemi dalë teksa ndiqnim Koncertin e Vienës në vitin e Ri, më 1969-të. Kjo është kulla e famshme në Tokio... Shihe vetë, dikur ka qenë e bukur. Shumë e bukur! E po ta njihje , do të të hynte në zemër. Se ishte edhe shumë e mirë.
Ashensori u ul në katin e parë. Ai nuk zbriti me mua.
- Po shkoj prapë ta shoh, - foli gjithë ngulm.
Dera u mbyll dhe u gjeta përballë Endit.
- Ishe në katin e sipërm?
Pasi pa miratimin që dhashë me kokë, vazhdoi:
- Të lutem, zonjusha Sabi, kujdes në atë kat. Vër gjithnjë dy palë doreza. Unë e kam të vështirë të shkoj, s’mund t’i shoh njerëzit në atë gradë...
S’i dhashë shpjegime Endit. Të nesërmen, punën njohëse për shtëpinë e pleqve hebrenj e fillova nga kati i fundit. Si gjithnjë, mister Xhimi ishte në ashensor.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›