Dhjetë variacione për këmishën
Ruzhdi GOLE
1.
Këmisha, gushtvjeshta, pasqyra e vrarë
Errësira – këmisha e murrme e natës,
Gëlqerja s’sheh vëngër, rrjedh këmbëmbarë
Porta plot degë, vjen thëllimi me kartëz.
Me kartëz të shkruar, pa veshur këmishë
Dhëntë Zoti s’ka çelës e dryni qan ndryshk,
Lëkura e pemës merr frymë me sisë
Njëherë jeta s’shkoi jetë pa bujq.
Shtëpia shtyn muret. Vajza vjen verës
Këmishë e bardhë – gëlqerja. Pa kartëz,
Më ra nga trupi e sertë, teh tjerrë
Mërzia s’ma veshi këmishën e natës.
Këmishë e natës mërzia më digjet
Dhëntë Zoti vjen vonë ajo arkëz gërdallë,
Jeta s’shkon qyq... Përse kuturisen
Këmisha, gushtvjeshta, pasqyra e vrarë?
2.
Këmisha
mardhet. Në dimër. Mardh dimri.
Këmisha rri urtë. Tek-tuk me trumcakë
Dëbora ngre këmbët. Mëngjesi ngroh gjirin –
Mëmën e vet – mëmë në farkë.
Këmisha e mëmës fryn në dritare
Jorganët, velenxat mbajnë afshe në buzë,
Këmisha e dritës po bjerret plot pamje
Kodrina përpjek
këllqet në fushë.
Këmisha e fushës ka ngrirë sivjet
d.m.th. blerimi – ky bir qafëgjatë,
Mjerimi dhëmbërënë me opinga shkel retë
Velenxën e mbrëmjes,
tryezat në farkë.
Kodrina përpjek këllqet në fushë
Këmisha rri urtë. Dëbora ngre këmbët,
Stërgjyshi lumë s’ka ende një bust
Një bust me varg,
ku dimri vdes ëmbël.
3.
Këmisha
fryn turbull. Me degën e tharë
Këmisha heq syzet. I thyen në zgrip,
Këmisha më bind se gurët kanë farë
Vëllaçko ka dhelpra dhe gjumi një prind.
Prindi vërsulet
T’i përzërë shejtanët
Frerëlëshuar mbi një araba,
Këmisha fryn turbull, një vetull pa çarë
Më bind se zemra s’ka vetëm tezgjah.
Këmisha më bind se muzgu është brejtës
Këmisha heq syzet. I thyen në zgrip,
Jugu i saj – vëllaçko i vjetër
Veriu i saj – herë gurrë,
herë xhind.
Këmisha fryn kthjellët
Me degën e mbarë
Me kryqin e erës plandosur në xhep,
Këmisha më bind se era hedh farë
edhe në heshtjen më të fshehtë.
Këmisha e erës. Muzgu puq udhët
Dhelpra shkund bishtin e natës gjithë pah,
Këmisha më bind:
Im bir s’është bujtës,
As hapi që ikën s’është arabá.
4.
Këmisha
kris këmbët poshtë një peme,
Këmisha thyen brinjët në një gjoks antik,
Portikët ngazëllojnë nga flladi. Po tmerret?
Acari rrrjedh vranët. Shëtit shëndetlig.
Këmisha ëmblas shpejt çahet, vranët
Dremitje e zgjuar plot sy të beftë,
Zemra pak vend zë te të gjallët
Shpirti shpërndahet
Te të mëdhenjtë.
Acarin –
Këmisha e mban nënë sqetull
rrjetë peshkatari – pëlhurë prej miku,
Këmisha hap krahët. Gjoks vreri pa ndjellur
Nga gjoksi im
Zgjat këmbët në ishull.
5.
Këmisha rrëzohet
sa vesh pantallonat
Këpucët më ngecin – portën sa hap –
Këmisha s’do të dalë përjashta nga kolla
Këpucët mbajnë fshehtas një urdhër, një trand.
Këpucët zhveshin këpucët me thembër
Balta i mbyt. Këmisha zë kollet,
Pëllëmba do bel. Profili rrit mjekër
ǒtë bëj këtu, këmbëkryq pantallonave?
Këmisha thith ujë dritaresh e qullet
Këmisha më ikën lëkurë e trup,
Mbrëmja po vjen me një daulle
pa urdhër këpucësh. Këmisha
S’mban plumb.
ǒtë bëj këtu, këmbëkryq pantallonave?
6.
Këmisha
përpëlitet rreth mangallit të mbrëmjes
Rreth mangallit të mbrëmjes ngrica po shkrihet,
Zjarri fryn fyejt. Nuk nëpërkëmbet
Gacullima e tij në tharm të thëngjinjve.
M’u lag pemëtorja. Dinakët e qiellit
Pa lajm m’u zbrazën nënë këmishë,
Pi verë Narte. Për dreq, vetë Ferri
Me krye currilash
në rrëzë të shtëpisë.
Këmisha
përpëlitet. Më del vetvetiu
nga gjoksi e krahët me gjeth e me pjalm,
Zjarri fryn fyejt një jetë njeriu,
Një vdekje njeriu
Mbi magje, mangall.
7.
Me zë mëngjesor
Këmisha kërceu,
Këmisha –
Me gishta m’u hodh mbi sup,
Me gishta - qefini - doli nga dheu
Doli nga dheu qefini i butë.
Qefini i hirtë i mbuloi dritaret
Mbë udhë, nën udhë kokoshi i lig,
Këmisha dalldiset prej nënëmadhe
Butet e ditës mbushen me hiç.
Me zë mëngjesor
Këmisha kërceu,
Këmisha –
me gishta m’u hodh mbi sup,
Bukurezë bukurish ngritur nga dheu
Kokën e vet – qefini mbledh gjunjsh.
8.
Dromca – dromca sillmë këmishë
Dromca – dromca qoshkë më qoshkë,
Thekë – thekë ndreq e prish
Mbllaca – mbllaca, tej varrosh.
Pllanga – pllanga – tej këmishë
Guva, guva, gu – va – gu,
Trokë – trokë, pishë – pishë
Drromca – drromca. ǒshpuzë?
Po tru?
9.
E mbarë këmisha
Me hove e shkronjë,
Këmisha vallëzon me kryet në shkrep –
Me duart në sitë, ylberin në rojë
Me gjërin tej gjumit ngjall eshtra mbi dhet.
Fytyra e saj –
Ekran i vogël
Shëndosh, shkërmoq, shkoqur, me grip –
E mbarë këmisha, pazbardhur nga flokët
Në gjumë fsheh gjumin, rrëmbimthi vozit.
Me hove e shkronjë, ekranin e krisur
Me duart në sitë e gjërin tej gjumit
E mbarë këmisha. Kollitet.
S’ka blojë
t’ia bluajë eshtrat
në vallëzimin e fundit.
10.
Këmisha: plot pisha. Y.Z.ZH.
Kokëkrisje: lektisja. Tatëmadh: asnjë.
Gaveta: me dimër.
Ushtari: matrikull.
Urrejtje: përpjekja.
Gënjeshtër: armiku.
Cullake karficash këputur ndër pije.
Gjuha kuqoi. ǒështë dhelpër e s’ndihet?
Brinja zhvesh dimrin. Përtej tatëmadh.
Këmishë qukapiku vlon trolli. Ku plas?
6 Prill 2009