ARrSh: Të gjitha akset janë të hapura, goma dimërore dhe zinxhirë në zonat malore

TIRANË, 17 shkurt /ATSh/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh) njofton se gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar dhe në orët e para të mëngjesit ka filluar dëbora në zonën veriore në lartësi mbi 800m, si dhe në juglindje të vendit.
Sipas ARrSh-së, reshje dëborë ka pasur në Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit-Vermosh, Bogë-Theth, Qukës-Qafë Plloçë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Tre Urat.
Përveç zonës së Qafë Thorës, e cila vijon të jetë e bllokuar prej rënies së vazhdueshme të ortekëve, ARrSh të gjitha akset janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.
Në njoftim thuhet se kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren dhe po punojnë me pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
ARrSh apelon drejtuesit e mjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë drejt akseve rrugore me prezencë dëbore.
/e.i/r.e/a.f/