Rama: AKSHI do të ketë pagat më të larta në vend

TIRANË, 17 shkurt /ATSH-Maela Marini/ – Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të ketë pagat më të larta në Shqipëri dhe se asnjë ndërmarrje private nuk do të ketë kapacitet ta konkurrojë.
Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKSHI-së, Igli Tafa, Rama theksoi se për qeverinë është thelbësore që ky institucion të vijojë të jetë “fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon se ku është porti”, në kuadër të revolucionit digjital.
Kryeministri nënvizoi se AKSHI duhet të jetë jashtë sistemit normal të pagave, për shkak të konkurrencës së fortë në fushën e teknologjisë dhe nivelit të lartë të pagave në sektorin privat.
“Ne jemi të vendosur të ndërhyjmë në legjislacion dhe të bëjmë një rritje domethënëse të pagave tuaja, për t’ju thënë që ju kemi shumë të shtrenjtë dhe nuk duam që ju ta braktisni shërbimin publik. Ne nuk duam që talentin tuaj ta vini në dispozicion të sektorit privat, por duam që ju të besoni që ky është vendi dhe shtëpia juaj”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se ky është momenti për solidaritet dhe për të besuar se drejtësia do të bëjë punën e saj, ndërsa inkurajoi ekipin e AKSHI-t të vijojë punën me përkushtim.
“Kjo është një periudhë e vështirë për ju dhe unë jam pranë jush, sepse çdo goditje e padrejtë ndaj këtij institucioni më dhemb po aq sa ju. Por kjo është një çështje që ka rrugën e vet ligjore dhe duhet lënë të ndjekë procesin e saj”, tha Rama.
Sipas tij, është e papranueshme që talentet në një fushë ku konkurrenca është globale dhe vlerësimi maksimal, të përballen me trajtime të padrejta.
Duke prezantuar drejtorin e ri të AKSHI-së, Rama u shpreh se Igli Tafa është një tjetër rekrut i Shqipërisë digjitale, i cili ka lënë angazhime jashtë vendit për të shërbyer në një moment të vështirë, kur Shqipëria u përball me sulme kibernetike.
Kryeministri vlerësoi kontributin e Tafës gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se ai është pjesë e së njëjtës skuadër dhe njeh nga afër sfidat e teknologjisë së lartë.
“Detyra juaj tani është të shtrëngoni radhët dhe të fokusoheni tek punët e mëdha që kemi planifikuar, tek produktet e reja që kemi ëndërruar dhe për të cilat po punoni”, iu drejtua Rama stafit të AKSHI-t.
/r.e/a.f/