ASHAK: Regjistrim i pavlefshëm i popullsisë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk e konsideron të vlefshëm rezultatin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, ndaj sugjeron që të gjenden mënyra për mbajtjen e një regjistrimi të ri.
ASHAK përmes një njoftimi për shtyp bën të ditur se me shpalljen e afatit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë u deklarua qartë se procesi nuk ishte i përgatitur si duhet dhe barte me vete rrezikun që të dështonte.
Shpallja e rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, për fat të keq, siç thuhet më tej në deklaratë, e vërtetoi shqetësimin e Kryesisë së Akademisë, se procesi jo vetëm do të dështonte, por do të linte pasoja të shumëfishta shoqërore, politike dhe profesionale.
Sipas ASHAK, shkaqet e dështimit të regjistrimit tashmë janë të njohura si për profesionistët e përfshirë ose të papërfshirë në proces, ashtu edhe për opinionin e gjerë, kështu që nuk mendojmë se është e nevojshme të përsëriten me këtë rast”.