Lituania dhe Polonia, mbështesin proceset integruese të Kosovës
Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës në Lituani, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të shteteve të ndryshme të botës, pjesëmarrës në “Komunitetin e Demokracive”. Marrëveshja për Riatdhesim, Marrëveshja për Kthimin e Personave të Dënuar dhe Marrëveshja në fushën e Sigurisë tashmë janë duke u negociuar mes dy shteteve dhe nënshkrimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt.
Në njoftimin për shtyp thuhet se ministri Hoxhaj është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Azubalis dhe zëvendësministrin Egidijus Meilunas.
Në takim është ngritur nevoja e nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimit tregtar. Marrëveshja për Riatdhesim, Marrëveshja për Kthimin e Personave të Dënuar dhe Marrëveshja në fushën e Sigurisë tashmë janë duke u negociuar mes dy shteteve dhe nënshkrimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt.
Nga ana tjetër, zyrtarët e Lituanisë kanë siguruar ministrin Hoxhaj se Lituania do të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe kanë mirëpritur propozimin e Ministrit Hoxhaj për organizimin e një forumi ekonomik në Prishtinë mes dy shteteve, për të stimuluar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona.
Gjatë kësaj vizite, Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Rados³aw Sikorski, shteti i të cilit nga sot ka marrë kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Hoxhaj ka kërkuar nga homologu i tij mbështetjen e Polonisë në procesin e Liberalizimit të Vizave dhe në integrimet Euroatlantike.
Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Baroneshën Catherine Ashton, me shumë Ministra të Punëve të Jashtme dhe diplomatë të tjerë.
Në njoftimin për shtyp thuhet se gjatë këtij forumi, Enver Hoxhaj, po ashtu ka zhvilluar takime edhe me disa ministra të jashtëm të shteteve anëtare të Ligës Arabe, të Organizatës së Konferencës Islamike, të shteteve nga Afrika dhe Azia dhe me ministra të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.