E Martë, 3 Nëntor 2026

ATHINË – Greqia bëhet vendi i fundit i BE-së që rrit shpenzimet e mbrojtjes

ATHINË, 2 prill /ATSH-DPA/- Qeveria greke planifikon të investojë 25 miliardë euro (27 miliardë dollarë) në sektorin e mbrojtjes gjatë 12 viteve të ardhshme, duke u bërë shteti më i fundit anëtar i BE-së që rrit ndjeshëm shpenzimet ushtarake.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis e përshkroi atë si ndryshimin më të rëndësishëm ushtarak në historinë moderne të vendit.

Mitsotakis tha se fondet do të shkojnë kryesisht për teknologjitë e reja të mbrojtjes dhe forcimin e industrisë vendase të armëve të Greqisë.

Qëllimi është që Greqia të ketë një nga sistemet më moderne të mbrojtjes në Evropë.

Udhëheqësi i qendrës së djathtë të Greqisë i bëri thirrje gjithashtu Bashkimit Evropian në tërësi që të ripërcaktojë pozicionin e tij në hartën gjeopolitike – duke pasur parasysh manovrat ushtarake të Turqisë, luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe agjendën e presidentit amerikan, Donald Trump “Amerika e para”.

Mitsotakis përshëndeti aktivizimin e klauzolës së arratisjes së Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes së BE-së.

Kjo dispozitë u lejon shteteve anëtare të marrin borxh shtesë për shpenzimet e mbrojtjes pa shkaktuar një procedurë deficiti të tepruar.

“Ky fleksibilitet buxhetor nuk duhet dhe nuk do të çojë në tepricë”, tha Mitsotakis, duke iu kundërvënë kritikave nga partitë e opozitës së krahut të majtë, të cilat argumentojnë se fondet duhet të drejtohen drejt mirëqenies sociale dhe jo ndaj shpenzimeve ushtarake.

“Pa mbrojtje nga kërcënimet e jashtme, nuk do të ketë zhvillim të qëndrueshëm, nuk do të ketë investime, turizëm dhe risi”, shtoi ai.

Greqia ka ndarë vazhdimisht më shumë se 2% të prodhimit të saj ekonomik për mbrojtjen për shkak të tensioneve me Turqinë fqinje.

Dy anëtarët e NATO-s përplasen shpesh për të drejtat territoriale në Egje dhe në Mesdheun lindor. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›