ATK-ja për 8 muaj, 174 milionë €

Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti ka mbledhur 174 milionë euro, duke realizuar rreth 67 për qind të planit vjetor të grumbullimit të të hyrave, ndërkohë që drejtues të ATK-së prezantuan edhe lansimin e sistemit për deklarimin elektronik të quajtur EDI, që fillimisht do të jetë në dispozicion të tatimpaguesve të mëdhenj.
Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, ka thënë të enjten se ATK-ja ka vazhduar trendin e grumbullimit të të hyrave për buxhetin e Kosovës sipas planifikimit dhe nëse vazhdojnë me këtë trend ATK-ja do të jetë brenda planifikimeve që ka para vetës dhe brenda realizimit të zotimeve.
“Ne deri më 31 gusht kemi grumbulluar rreth 174 milionë apo 67 për qind të planit vjetor dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është diku rreth 19 për qind. Nëse vazhdojmë me këtë trend ne do të jemi brenda planifikimeve që kemi para vetës dhe brenda realizimit të zotimeve që i kemi edhe si ATK edhe si ministri e financave para FMN-së cili në baza mujore e bën monitorimin e të arriturave tona”, ka thënë Haliti, siç transmeton Kosovapress.
Ai, gjithashtu, ka bërë të ditur se ATK prej këtij muaji do të zbatojë sistemin për deklarimin elektronik, të quajtur EDI, përmes të cilit niveli i sigurisë do të jetë më i lartë, ndërsa ai fillimisht do të jetë në dispozicion të tatimpaguesve të mëdhenj.
“Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë prezantimin e lansimit të një moduli të ri të E- deklarimit apo siç e quajnë zyrtarët EDI, një projekt, një program që tatimpaguesve tanë iu ndihmon që më lehtë dhe më shpejt t’i bëjnë deklarimet e tyre tatimore prej zyrave të tyre. Derisa ne jemi këtu, grupi i parë i 200 tatimpaguesve të mëdhenj është duke marrë njoftimet, detajet dhe specifikat se si mund ta përdorin më lehtë këtë mundësi të ATK-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, trajnimi i tatimpaguesve për përdorimin e sistemit ka filluar tashmë, ndërkaq pajisjet për kyçje në vlerë prej rreth 40 deri në 50 euro i shpërndan falas ATK-ja. Tatimpaguesi i parë që ka instaluar këtë sistem është kompania “Limak de Lion” që menaxhon Aeroportin e Prishtinës.