E Diel, 1 Nëntor 2026

"Tërheqjet nga njohja, rrena të Serbisë"

Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 13:10

(E plotësuar) Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi i ka thënë Kosovapressit se janë vetëm rrena të Serbisë ato që po shkruajnë disa media se kinse dy shtete kanë tërhequr njohjet ndaj Kosovës.

Ai sqaroi për opinion se qysh mëngjesin e sotëm MPJ ka kontaktuar me autoritetet e Guinea Bisau, e cila ka konfirmuar se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së Kosovës.

Diplomacia serbe nuk ndalet së punuari kundër Kosovës. Mediat e Beogradit pretendojnë se Vuk Jeremiq ka arritur të ‘tërheq’ dy njohje të Kosovës. Thuhet se atij i janë dhënë informacionet në Kongresin e të Painkuadruarve se shteti aziatik Omani dhe ai afrikan Guinea Bisau kanë tërhequr njohjen.

Mirëpo zv.ministri i Jashtëm, Petrit Selimi thotë se këto janë vetëm propagandë e Beogradit, pasi që Guinea Bisau nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj ndaj njohjes së Kosovës.

“Ne biseduam sot me përfaqësuesit e Guinea Bisau që të konfirmojnë edhe njëherë njohjen që ka ardhur në janar dhe nuk ka dyshim që nga zyra e presidentit morëm konfirmimin se nota verbale e dërguar atëherë qëndron, se Kosova është e njohur nga shteti Guinea Bisau”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket shtetit të Omanit, Selimi sqaron se njoftimi fillestar për këtë shtet qysh kohë më parë është marrë nga ambasadori në Londër, Muhamet Hamiti. Mirëpo zëvendësministri thotë se tashmë edhe Omani është në proces të njohjes, pasi që e ka përkrahur rezolutën e shteteve islamike që të njihet pavarësia e Kosovës.

“E kemi konfirmuar nga kanalet tona që Omani edhe pse na dëshiron çdo të mirë dhe na njeh ekzistencën ajo vet nuk e ka marr vendimin. Këtë informatë e kemi pas në Astana, në Kazakstan këtë vit ku shtetet islamike votuan rezolutën ku bëhet thirrje që të gjithë shtetet myslimane të njohin shtetin e Kosovës. Omani përkrah këtë rezolutë, kështu që ne jemi në dialog me Omanin për njohje sa më të shpejtë. Ne nuk kemi pas në listë edhe më herët këtë shtet”, është shprehur ai.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi rithekson se janë vetëm rrena të Serbisë ato që po shkruajnë disa media se kinse janë bërë tërheqje të njohjeve për Kosovën. Madje ai thotë që institucionet e Kosovës nuk mund të dalin e të japin sqarime, sa herë që nga Serbia lëshohen gënjeshtra të tilla.

“Ne nuk mundemi, që sa herë Serbia të del me kumtesa e rrena, të merremi me ta. Kemi agjendën tonë, kemi verifikuar gjatë tërë orëve të mëngjesit këto informata që kemi dhe jemi fare rahat që tërheqje të njohjes nuk ka pas. Ka pas informatë të gabueshme prej Beogradit që ne nuk duhet të merremi shumë”, ka thënë zëvendësministri.

Ndër të tjera, Selimi ka thënë se sipas strategjisë së Republikës së Kosovës të aprovuar gjatë këtij viti, është një listë e përpiluar në bashkëpunim me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku janë 30 deri 40 shtete që janë deklaruar në mënyrë pozitive ndaj njohjes së Kosovës./Kosovapress/

Blic: Dy shtete tërheqin njohjen?!

Diplomacia serbe nuk ndalet së punuari kundër Kosovës. Gazeta Blic e Beogradit pretendon se Vuk Jeremiq ka arritur të ‘tërheq’ dy njohje të Kosovës. Thuhet se atij i janë dhënë informacionet në Kongresin e të Pa-inkuadruarve se shteti aziatik Omani dhe ai afrikan Guinea Bisau kanë tërhequr njohjen.

“Vuk Jeremiq i tha shefit të delegacionit të Omanit se ishte shumë i mllefosur me vendimin e shtetit të tij për ta njohur pavarësinë, përkundër premtimit se kjo nuk do të ndodhte. Bashkëbiseduesi i tij u çudit, duke e siguruar ministrin se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Edhe Guinea Bissau i kishte hyrë procesin e njohjes, por deputetët e saj kundërshtuan dhe procedura u ndërpre”, i ka thënë Blicit një burim nga kongresi i mbajtur në Beograd.

Gjithashtu, gazeta shkruan se edhe dy shtete të tjera do të tërheqin njohjen dhe se në një vend afrikan po zhvillohen hetime kundër një zyrtari të lartë që besohet të ketë marrë para për të shpejtuar njohjen.

MPJ njoftoi njoftoi më 4 shkurt të këtij viti se Omani e kishte njohur pavarësinë e Kosovës me çka kishte shkuar në 75 numri i njohjeve. Komunikata precizonte se Omani nuk i njeh në mënyrë eksplicite shtetet, por vë kontakte diplomatike me to.

“Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Sulltanatin e Omanit. Përmes ambasadës sonë në Londër kemi marrë letër nga Sulltanati i Omanit, i cili shprehet qartë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën. Omani është një shtet përkatësisht një mbretëri, e cila nuk njeh shtetet në mënyrë eksplicite, por njohjen e shteteve e bën nëpërmjet komunikimit dhe nëpërmjet vendosjes së kontakteve dhe marrëdhënieve diplomatike Në letrën që ka mbërri në Ministrinë e Punëve të Jashtme thuhet: “U njohëm me vendimin e GJND lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe Qeveria e Sulltanatit të Omanit do të mirëpresë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, organizata të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, në të cilat ajo dëshiron të anëtarësohet”, thuhej në njoftimin e dërguar në emër të Ministrisë nga atëherë Ministrja në detyrë, Vlora Çitaku që gjithashtu kishte marrë vendim që Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ta akreditojë si ambasador jo rezident në Oman dhe kjo kërkesë do të deponohet pranë autoriteteve përkatëse të Sulltanatit të Omanit.

Njohja e Guinea Bisau kishte ardhur më herët, përkatësisht më 13 janar, dhe atë e kishte bërë publike, kryetari i atëhershëm i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Të nderuara media kemi nderin t’u prezantojmë njohjen e 74 në radhë të Republikës së Kosovës të ardhur nga Republika e Guinea-Bissau, ndersa njohjen e 20 me radhë të ardhur nga aktiviteti im lobues. Kjo njohje e sjell në 30% numrin e njohjeve që i kanë ardhur Kosovës si rezultat i aktivitetit tim lobues”, kishte deklaruar Pacolli gjatë konferencës për medie.

Po atë ditë njohjen ia kishte konfirmuar Radios Evropa e Lirë, ushtruesja e detyrës së ministres së jashtme, Vlora Çitaku, e cila e kishte marrrë njoftimin për dërgimin e letrës zyrtare nga Pacolli.

Faqja e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, të mërkurën pas mesnate ka qenë jashtë funksionit, dhe tekstet e njohjeve nuk gjenden më as në faqen kosovothanksyou.com

Zv/ministri i Jashtëm në qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi i është përgjigjur analistit Tim Judah rreth lajmit për ‘tërheqjen’ e dy njohjeve, pasi që britaniku i shkruajti në Twitter Ministrisë së Jashtme.

“Omani asnjëherë nuk ka bërë njohjen siç e ka sqaruar Vlora në deklaratën në shkurt. Ata na e kanë dërguar një letër të ngrohtë duke na dëshiruar inkuadrim në OKB. Ndërsa, Guinea Bissau ka dërguar një letër të qartë verbale të njohjes dhe ka zhvilluar që nga atëherë kontakte me Kosovën. Jeremiqi po provon ta heq fokusin nga nevoja për largimin e strukturave paralele dhe respektimi i kufijve”, i ka shkruar Selimi Judah-it. (indeksonline)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›