E Diel, 1 Nëntor 2026

AVUK “digjet” si Dogana, i vidhen 12 mijë euro

Nuk janë vetëm Doganat e Kosovës “viktima” të vjedhjes së parave në terminalin doganor në Pejë, pasi që e njëjta gjë i ka ndodhur edhe Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës(AVUK).
Për dallim nga Doganat që u janë vjedhur hiç më pak se 300 mijë euro, AVUK-u ka shpëtuar me lehtë, përkatësisht me rreth 12 mijë euro të vjedhura.

“Shuma e pagesave që është kryer në këtë filial bankar është rreth 11824 euro”, ka konfirmuar Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK), duke shtuar se mjetet e paguara më pas nuk janë bartur në xhirollogarinë e kësaj të fundit.

Gazeta “Zëri” javë më parë ka raportuar se “avullimi” i këtyre parave ka ndodhur me rastin e zhdoganimit të mallrave që kanë hyrë nëpërmjet pikëkalimit kufitar në Kullë, e cila lidh Kosovën me Malin e Zi, nga importuesit, të cilët pagesat e nevojshme ndaj Doganave dhe AVUK i kanë bërë nëpërmjet një zyre të Agjencisë për Transfere Parash me emrin Unioni Financiar i Prishtinës (UFP).

Importuesve me këtë rast u janë lëshuar vërtetime për pagesat e kryera, në bazë të të cilave oficerët doganorë më pas i kanë lëshuar ngarkesat me mallra nga terminali, ndërsa mjetet e paguara të Doganave dhe AVUK-ut nuk janë bartur në xhirollogari.

Pas përvetësimit të këtyre parave, policia ka mbyllur këtë zyrë brenda terminalit doganor, ndërsa ende nuk dihet fati i këtyre parave që i takojnë buxhetit të shtetit.

Mirëpo, drejtuesit e Unionit Financiar të Prishtinës mohojnë të kenë gisht në këtë vjedhje, duke sqaruar se personi i dyshuar e ka keqpërdorur emrin, vulat dhe fletëpagesat e UFP-së, duke i falsifikuar të gjitha këto.

”Si Union Financiar i Prishtinës nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë filial-nënagjent në vendin për të cilin flitet, në Terminalin Doganor në Pejë. Çdo gjë që është bërë, ose pretendohet se është bërë me pagesat e Doganës, ose pagesa tjera, në këtë vend në emër të Unionit Financiar Prishtinë është vetëm keqpërdorim kriminal i emrit dhe veprimtarisë së Unionit Financiar Prishtinë”, pati deklaruar më herët Genc Turku, drejtor ekzekutiv në Unionin Financiar të Prishtinës.

Sipas burimeve të “Zërit” të afërta me hetimet që po zhvillohen, ka dyshime të bazuara se personi që ka gisht në vjedhjen e mbi 300 mijë eurove të buxhetit të Kosovës është shtetas i Maqedonisë, përkatësisht një shqiptar nga Tetova.

I dyshuari, sipas burimeve të gazetës, është duke u hetuar nga policia dhe Doganat se si ka mundur që me dokumentacion të falsifikuar të hapë institucion financiar brenda terminalit doganor në Pejë, me ç’rast edhe pista e hetimeve për këtë rast është zgjeruar, pasi që besohet se është shumë e vështirë që dikush duke falsifikuar emrin e kompanisë të arrijë të vendoset në terminalin Doganor dhe të punojë pa u penguar nga askush për një periudhë 2- mujore. Dyshohet se edhe persona tjerë janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Pavarësisht faktit se janë vjedhur mbi 300 mijë euro, para që i takojnë buxhetit të shtetit, prokuroria ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë ndaj të dyshuarve.

Zyrtarët e prokurorisë kanë konfirmuar se ende janë në fazën e mbledhjes së provave rreth këtij rasti dhe sipas tyre, nëse vendoset për ngritje të aktakuzës, atëherë prokuroria do të njoftojë zyrtarisht për një gjë të tillë.
Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, ka njoftuar se për vjedhjen e 300 mijë eurove të Doganave, nëpërmjet një shkrese ka kërkuar hetime nga Prokuroria.

Punësoi dy femra dhe punonte kur mbylleshin bankat
Burime të gazetës “Zëri” të afërta me hetimet që po zhvillohen lidhur me këtë rast bëjnë të ditur se plani i vjedhjes së parave nga institucioni financiar që ka funksionuar brenda terminalit doganor në Pejë ka qenë i përgatitur në mënyrë perfekte.

Ai në këtë institucion kishte punësuar dy femra të bukura kosovare, të cilat punonin pas orës 17:00, kur në qytetin e Pejës mbylleshin të gjitha bankat komerciale dhe importuesit i bënin pagesat brenda në terminal.
Edhe Lamir Thaçi nga AVUK konfirmon se të gjitha pagesat për AVUK janë kryer në kohën kur bankat komerciale në Pejë mbylleshin dhe siç thotë ai, kjo ka qenë e vetmja mundësi që palët t’i kryenin të gjitha shërbimet financiare për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›