Rrëmbehet në Vushtrri, vritet në Podujevë

Një grua 42 vjeçare e rrëmbyer në Vushtrri para një jave është gjetur pa shenja jete në fshatin Lupq i Epërm, të Podujevës.
“Që nga data 3 dhjetor, 2012, Policia e Kosovës, ishte në kërkim të personit të gjinisë femërore, H.Tunuzliu (1970), nga fshati Dërvar i Vushtrrisë, pasi familjarët e saj, kishin njoftuar policinë e Kosovës, se e njëjta mund të ishte rrëmbyer nga persona të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë të rajonit të Mitrovicës.
Trupi i pajetë, e viktimës ishte gjetur në ditën e shtunë, më 8 dhjetor, në fshatin Lupq i Epërm, të Podujevës ndërsa pas bashkëpunimit në mes të hetuesve rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë dhe atyre në Prishtinë, kufoma ishte identifikuar si viktima e raportuar e humbur nga data 3 dhjetor.
“Si rezultat i një bashkëpunimi në mes të hetuesve policor, Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar një të dyshuar të mundshëm si kryes të aktit të këtij akti kriminal. I dyshuari 58 vjeçar, banor i Vushtrrisë, është arrestuar dhe i është dorëzuar hetuesve për krime të rënda në rajonin e Prishtinës, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor”.
Rasti është cilësuar si vepër penale “vrasje e rëndë” ndërsa hetimet do të udhëhiqen nga hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës në Prishtinë./Indeksonline/