E Diel, 1 Nëntor 2026

Abaz Hado çel ekspozitën “Çamëria jonë”

TIRANË- Piktori Abaz Hado çeli sot, në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën “Çamëria jonë”, me punime që trajtojnë përmes grafikave dhe pikturave frymëzimin dhe ndjesinë e artistit për vendin e origjinës së tij.

Janë 30 punime me përmasa të medha, realizuar muajt e fundit. Ekspozita e Hados përmban grafika me teknikë mikse që evolojnë momente nga tragjedia e kësaj popullsie shqiptare, që u masakrua në mënyrën më të egër.

Sipas Hados, pikturat përmbajnë momente të forta që burojnë nga ajo tragjedi historike ku pabesia dhe kali i Trojës janë prezente me mesazhe të forta artistike me fuqi frymëzuese. Në këtë ekspozitë janë dhe disa piktura ku artisti ka dashur të tregojë disa pamje të qyteteve shqiptare të Çamërisë, ku bukuria e asaj krahine dallon për veçori dhe ka plotë dritë.

Ekspozita është e para e këtij lloji, jo vetëm në përmbajtjen e saj por dhe për shprehjet origjinale të një grafike dinamike, me teknika që i japin asaj frymë dhe konceptim modern. Pas MHK-së, ekspozita do të çelet në qytetin e Fierit, Durrësit, Beratit, Vlorës, Sarandës, etj

Abaz Hado është gjithashtu zv/ministër për Kulturën në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai ka çelur mbi 10 ekspozita personale brenda dhe jashtë vendit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›