E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës projekt me të rinjtë sipërmarrës, Basha: Bast 1 mln euro që e bëjmë realitet

TIRANË-Bashkia e Tiranës zhvilloi sot një takim me sipërmarrës të rinj në biznes me temën “Të rinj dhe biznesi”.
Sipas Bashkisë këta të rinj do të mbështeten nga një projekt mikrokreditimi, me qëllimin që të ndihmohen në zhvillimin e bizneseve të tyre.

Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha theksoi se kjo është një iniciativë e përbashkët e Bashkisë me Bankën Botërore duke zhvilluar si fillim një konkurs ku studentët do të paraqesin projektet, dhe më pas do bëhet përzgjedhja. 

“Kjo është iniciativë e përbashkët me iniciativën e Tiranëss dhe Bankës Botërore, në një konkurs ku janë përfshirë studentë. Na vjen mirë që të rinjtë janë kaq të përfshirë në këtë projekt”.

“Duhet të vijnë propozime të detajuara nga të rinjtë ndërsa ne si Bashki jemi të kënaqur që me anë të vullnetit politik, të mos e trajtojmë bashkinë si komunale, por të japim një impuls të ri, në punësimin e të rinjve”.

Basha bëri me dije se projekti e ka zanafillën gjatë fushatës elektorale për pushtetin vendor, në vitin 2011.
“Projekti e ka gjënezën në një bisedë për fushata elektorale në vitin 2012 në muajin prill. Duhet të kesh një element të veçantë, do kesh mbështetjen e qeverisë, më tha kryeministri për infrastrukturën, por duhet hedhur një hap para për të rinjtë. 

Ne për herë të parë vumë në zbatim një skemë, për herë të parë që përdoret nga institucionet publike të pushtetit vendor, si Bashkia e Tiranës. E theksoj këtë, në radhë të parë për të shprehur kënaqësinë që ky premtim të bëhet realitet dhe po bëhet realitet në vitin e dytë në këtë bashki”.

Me shaka kryebashkiaku theksoi se dëshira dhe besimi për ta bërë realitet projektin me të rinjtë ka sjellë dhe një bast prej 1 milionë eurosh. “Kemi vënë bast me 1 milionë euro dhe presim që rinia të bëjë biznes në qytetin tonë. Besoj se dhe Kryeministri Berisha do i bashkëngjitet dhe pse është i pari bast në jetën e tij”.

Basha më tej akuzoi paraardhësin në Bashki, z Rama mbi lënien në sirtar të projekteve për të rinjtë. “Ky besoj është një premtim-frymëzim dhe për paaradhësin tim dhe që na habit pa masë kur tha se i kemi vjedhur një program të cilin ata nuk e zbatonin prej 11 vitesh në sirtar”. 

BERISHA KRITIKA RAMËS SI KRYEBASHKIAK
Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë fjalës së tij përshëndetëse, teksa premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka për mbështetjen e të rinjve, sulmoi mandatin e kreut të opozitës Edi Rama si kryetar Bashkie. Berisha tha se Rama nuk bëri asgjë për punësimin, ndërkohë që e akuzoi për rritje taksash.

“Unë përgëzoj Bashkinë e Tiranës për mbështetjen që tregon në shndërrimin në realitet të programit të saj. Kur zoti Basha kandidoi për Tiranën, mund t’ju them se në rast se ju do merrni dhe te analizoni të gjithë fjalët, fjalitë dhe fjalimet e paraardhësit të tij ju nuk do gjeni kurrë përpjekjen për punësimin dhe fjalën punësim në teologjinë e tij. Përkundrazi kur PD me kandidatin e saj shpalli platformën për punësimin e qeverisë së ardhshme, përgjigjia e tij ishte se punësimi nuk është cështje e imja, por e qeverisë. Punësimi është çështje më kryesore e qeverisë qendrore dhe vendore. Sigurisht qeveria vendore në territorin e qyteti të Tiranës, akti i parë që bëri zhduku 60-70 tarifa që i rëndonin si shpatë Demokleu biznesmenit. Ai që bërtet se do heq taksat, i coi në 104 mijë, por kanë zbritur prap në 47 mijë”, theksoi Berisha. 

Kryeministri përgëzoi Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj Lulzim Basha për gadishmërinë që tregon për shndërrimin në realitet të programit të saj. 

“Unë falënderoj kreun e Bashkisë dhe Bankën Botërore që me një shumë të caktuar kanë bërë të ndizet dhe një gare . Unë i ndoqa projekt, një avokati e shkëlqyer me interes shumë të madh. Bashkia e Tiranë garanci për zbutjen e kredive për të mbështetur iniciativën tuaj të lirë, akt për tu përshëndetur, absolutisht. Në një shumë të përfillshme mund të kontribuonin të gjitha bashkitë më të mëdha. Qeveria do krijojë fonde të përbashkëta me dhomën e tregtisë, ku ju do aplikoni për projektet tuaaja dhe do fitoni mbështetjen”, u shpreh Berisha.
(d.b/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›