Abbisnet Superiore, Elbasani fiton në transfertë, Tirana barazon me Bylisin

TIRANË, 26 mars /ATSH/ U luajtën sot dy ndeshjet e para të Javës së 31-të të kampionatit “Abissnet Superiore”.
Ndeshja e parë e ditës ishte ajo e orës 15:00. Laçi priti në shtëpi AF Elbasanin, ku verdheblutë dolën me tri pikë nga kjo transfertë e vështirë, falë autogolit të Shabanit në minutën e 39-të.
Pas shënimit të golit të dyja skuadrat kërkuan të shënonin por nuk ia dolën. Kështu skuadra e Gvozdenoviç i bën presion Partizanit për një vend në “Final 4”.
Po sot, Tirana barazoi 2 me 2 në “Arenën Kombëtare” me Bylisin. Sfida startoi në orën 18:00 me një minutë heshtje në nderim të gazetarit sportiv Saimir Demi, që u nda para kohe nga jeta si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Pjesa u parë u mbyll në barazim 1 me 1. Ishte Ali Përgjoni, i cili në minutën e 26-të kaloi në epërsi Bylisin. Në minutën e 40-të ishte një tjetër Përgjoni, kapiteni Florian, që barazoi për Tiranën.
Në minutën e 76-të Zharmuni kaloi Tiranën në avantash me 11-metërsh, ndërsa Ilieski barazoi për ballshiotët në minutën e 82-të.
Tri ndeshjet e tjera të javës së 31-të do të luhen nesër. Dy takime janë programuar në orën 17:00. Në “Elbasan Arena”, Dinamo City do të përballet me Partizanin, ndërsa në “Niko Dovana” Teuta do të luajë ndaj Skënderbeut.
Java e 31-të mbyllet me sfidën Egnatia – Vllaznia në stadiumin “Egnatia Arena” në orën 20:00.