E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abdullah tërhiqet nga gara zgjedhore

Sfiduesi i presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, është tërhequr nga rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, i cili ishte paraparë të zhvillohej në fund të javës, duke ja dorëzuar kështu fitoren Karzait, por duke ngritur njëkohësisht dyshimet në lidhje me besueshmërinë e regjimit në Kabul, në momentin kur SHBA-ja po kërkon një partner efektiv në Kabul, në luftën kundër kryengritësve talebanë.

Ish-ministri i Jashtëm, Abdullah Abdullah, theksoi se e ka marrë këtë vendim, pasi që presidenti Karzai refuzoi kërkesën e tij për të bërë ndryshime në Komisionin e Pavarur zgjedhor, me qëllim të parandalimit të manipulimeve, të cilat karakterizuan rrethin e parë zgjedhor, i cili u zhvillua më 20 gusht.

Abdullah me këtë rast nuk bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve dhe kërkoi nga ithtarët e tij që të mos dalin në rrugë për të protestuar.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Azizullah Lodin, theksoi se ai duhet të këshillohet me gjykatësit kushtetues, para se të marrë vendimin se a do të zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve edhe pa pjesëmarrjen e Abdullahut.

Shtëpia e Bardhë ka pritur formimin e qeverisë së re në Afganistan, para se të kumtojë vendimin për strategjinë e vet të re në Afganistan, por dhuna në ndërkohë është intensifikuar.

Muaji tetor ishte muaji më i përgjakshëm për forcat amerikane në Afganistan që nga viti 2001, pasi që 57 ushtarë amerikanë u vranë gjatë muajit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›