E Shtunë, 31 Tetor 2026

14 të vdekur si pasojë tajfunit që goditi Filipinet

Një stuhi tropike ka vazhduar të lëvizë në drejtim të Vietnamit, pasi që goditi kryeqytetin e Filipineve dhe provincat përreth, duke lënë të vdekur së paku 14 persona, kanë njoftuar sot autoritetet.

Tajfuni Mirinae u dobësua gjatë ditës së djeshme, përderisa vazhdoi lëvizjen drejt Detit jugor të Kinës. Pritet që tajfuni ta godasë territorin e Vietnamit nesër pasdite.

Kryeministri i Vietnamit, Nguyen Tan Dung, urdhëroi banorët që të fillojnë evakuimin nga rajonet e rrezikuara në pesë provinca të Vietnamit dhe kërkoi nga peshkatarët në Detin jugor të Kinës që të strehohen menjëherë.

Filipinet dhe Vietnami ende janë duke u këndellur nga pasojat e tajfunit Ketsana, i cili nxiti vërshimet më të rënda në Manilë në katër dekadat e fundit dhe shkaktoi vdekjen e së paku 160 personave në Vietnam.

Ketsana dhe dy stuhi tjera pasuese shkaktuan vdekjen e së paku 900 personave në Filipine. Deri me tani, tajfuni Mirinae ka shkaktuar vdekjen e 14 personave, ndërsa katër të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Meteorologët kanë theksuar se janë duke e vëzhguar një shtypje të ulët, rreth 610 km në lindje të brigjeve të Filipineve, por kanë theksuar se ende është herët të parashikohet se a do të shndërrohet kjo shtypje e ulët në një stuhi të re.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›