Abraham ka oferta, por nuk ka vendosur ende
Abraham Aleçenvu duket se do të jetë një nga personazhet e dritares së transferimeve të dimrit në futbollin shqiptar. Menaxheri i tij, Gëzim Mançe, sqaron në një deklaratë situatën e futbollistit, të cilit nuk i mungojnë ofertat, por megjithatë e ardhmja e tij për pjesën e mbetur të sezonit futbollistik është ende e paqartë. Disa ditë më parë kanë qarkulluar zëra se për të është interesuar Hajduku i Split, skuadër në të cilën e kishte rekomanduar ish-trajneri boshnjako-kroat i bardhebluve, Blazhe Slishkoviç, dhe trajneri aktual i Dinamos, Zlatko Daliç. Por duket se deri tani, nuk ka asgjë konkrete. "Në adresën e tij kanë ardhur tri oferta, shton menaxheri Mançe, të cilat po i shikojmë me kujdes. Njëra prej tyre është ajo nga Arabia Saudite, e cila ka qenë e interesuar që në merkaton e verës. Ndoshta do të vendoset shumë shpejt edhe për të ardhmen e tij". Ndërkohë që Tirana po mendon për merkaton në hyrje dhe një objektiv i saj mësohet të jetë mbrojtësi shkodran, Ervis Kraja.