Abuzimet me energjinë, tani do të përbëjnë vepër penale
Çdo ndërhyrje në sistemin elektrik shqiptar, pritet të konsiderohet vepër penale në Kodin Penal, ndryshe nga deri tani ku kjo shkelje është konsideruar thjesht si një kundravajtje.
Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës po përgatitin ligjin përkatës nëpërmjet të cilit abuzimet me energjinë, nga kushdo subjekt, qoftë privat apo shtetëror, qoftë biznes apo familjar, do të cilësohen vepër penale dhe do dënohet sipas ligjit. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha se “ky ligj ka për qëllim që të reduktojë humbjet në rrjet të cilat janë problem jo vetëm për qeverinë por edhe për investitorët”. Sipas tij, ky është një qëndrim që qeveria do ta ndërmerrte pavarësisht nga fakti nëse do të privatizohej ose jo OSSH-ja. Deklarata u bë dje pas takimit që kreu i METE-s zhvilloi me përfaqësuesit e kompanive që marrin pjesë në tenderin për pritatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes “OSSH”. Në lidhje me privatizimin e këtij sektori ministri Ruli tha se, qeveria po vlerëson ofertat dhe se rëndësi do të ketë plan-biznesi dhe investimet që kompania fituese parashikon të bëjë para se të blejë “OSSH”-në. Ai e cilësoi privatizimin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, si ndër më strategjikët, por edhe shumë kompleks. Në garë për privatizimin e OSSH-së, janë kompanitë “EVN”, “CEZ”, “ENEL” dhe "Stetmarker Energy", të cilat në fillim të muajit Shtator, do të paraqesin në ministri ofertat e tyre.
26 Korrik 2008