Abuzimet me faturat e ujit, Dollapi: Qytetarëve, kompensim muajin e ardhshëm
Drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Sahit Dollapi, deklaroi sot se nga verifikimi i 151 mijë abonentëve janë konstatuar parregullsi për 9335 raste, për të cilat, janë pushuar 11 faturistë. Përmes një deklarate për shtyp, ai siguroi se “në të gjitha rastet kur verifikohen abuzimet, qytetarët do të kompensohen në faturimin e muajit të ardhshëm”. Sipas tij, deri në momentin që të barazohet sasia e ujit të mbifaturuar me sasinë e ujit të konsumuar, do faturohet zero. Drejtori i UKT-së informoi gjithashtu se deri më 28 shkurt pagesa e faturave të ujit do të jetë me çmimin e vjetër. “Qytetari do paguajë ujin e konsumuar para datës 28 shkurt të vitit 2010 do paguajë 20 lekë për metro kub”, u shpreh Dollapi. Pra, sqaroi ai, qytetari do të paguajë të gjithë sasinë që ka në gjendje në matës, qoftë me një aktmarrëveshjeje që mund të paguhet në mënyrë të menjëhershme, por edhe me këste.