E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarret rrezikojnë banesat, djegin dhjetëra hektarë

Në qarkun Shkodër, Lezhë e Fier janë regjistruar disa raste të rënies së zjarrit, ndërkohë që disa prej tyre kanë rrezikuar edhe banesat.


Në Lezhë, superstrada është mbuluar me shtëllunga tymi nga djegia e plehrave


Zjarret kanë rrezikuar banesat ditën e martë, ndërkohë që në të gjithë vendin janë djegur sipërfaqe të mëdha pemësh frutore e shkurresh, por edhe pyje e ullinj. Zjarre ka pasur në Fier, në Lezhë dhe në Shkodër, ndërsa ndërhyrjet e zjarrfikësve nuk kanë qenë gjithnjë shumë të suksesshme.


Kjo për shkak se era e fortë ka ndikuar në përhapjen e shpejtë të tij. Ndërkohë vetëm një ditë më pare, nga Ministria e Mjedisit u raportua lidhur me alarmin për zjarret e shumta ku shpesh shkaktarë ishin vetë banorët.


Fier, digjen 40 ha tokë e ullishte


Mesditën e djeshme, në kodrat e fshatit Portëz që i përket komunës me të njëjtën emër në rrethin të Fierit janë përfshirë nga një zjarr i fuqishëm në një sipërfaqe prej 40 ha tokë, kryesisht të mbjella me ullishte, dru frutorë dhe shkurre.


Fillimisht zjarri ka nisur në fshatin Plyk dhe më pas i ndihmuar edhe nga era e mesditës së martë është zhvendosur në kodrat e fshatit Portëz, ndërkohë që banorët e zonës janë përpjekur me mjete rrethanore të shuajnë vatrat e zjarrit dhe mospërhapjen në sipërfaqe të tjera. Në vendngjarje kanë mbërritur punonjësit zjarrfikës por mjetet nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin për shkak të terrenit të vështirë.


Gjithsesi edhe punonjësit e saj kanë bashkëpunuar me banorët për lokalizimin e zjarrit, i cili i ndihmuar nga era ka djegur vetëm për një orë dhjetëra pemë ullinj dhe drurë frutorë, pronë e banorëve të këtij fshati. Ky zjarr mendohet se mund të jetë shkaktuar si pasojë e temperaturave të larta.


Lezhë, në 24 orë 10 vatra vatra zjarri


Ditët e fundit të muajit gusht po shoqërohen me vatra të zjarreve në të gjithë territorin e Qarkut të Lezhës kryesisht në pyje dhe kullota, por edhe në qendra të banuara. Vetëm në 24 orët e fundit mësohet se janë shënuar 10 zjarre. Vatrat më problematike kanë qenë kryesisht në Rubik, Rrëshen, Lezhë, Shëngjin dhe Kallmet. Ndërkohë mbrëmjen e së hënës në Adriatik të komunës Fushë-Kuqe është djegur një shtëpi banimi dykatëshe.


Të martën, krahas vatrave sporadike jo shumë problematike, vatrat më të mëdha të zjarrit janë shënuar në Kallmet dhe në Lezhë. Sipas drejtorit të PMNZSH Lezhë, Zef Franit, në Kallmet të Lezhës zjarri ka rënë në afërsi të qendrës së banuar në orët e paradites duke rrezikuar dhjetëra banesa, por falë sinjalizimit dhe mbërritjes në kohë është bërë i mundur izolimi dhe shuarje e zjarrit pa shkaktuar dëme në banesa.


Ndërsa rreth orës 14:30 një tjetër vatër zjarri e fuqishme është shfaqur sërish në superstraden Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur "Pusi i Shytit" në dalje të qytetit të Lezhës. Ky vend prej kohësh ishte shndërruar në një vendgrumbullimi mbeturinash.


Vatra e zjarrit është shfaqur pikërisht tek pirgjet e mbeturinave duke marrë përparësi në drejtim të pyllit në lagjen "Cara" dhe "Nënë Tereza". Zjarri është përhapur me shpejtësi në drejtim të pyllit halor me pisha duke rrezikuar dhjetëra banesa, por edhe biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre në anë të supestrades.


Për orë të tëra superstrada është mbuluar nga shtëllungat e tymit, por ka pasur edhe kërcitje të mbeturinave që digjeshin, ku sipas pohimeve në vendngjarje, mund të kenë qenë granata ose fishekë. Fillimisht u arrit izolimi i vatrave pranë qendrës së banuar, por aksioni po vazhdon, pasi zjarri po përhapet drejt anës tjetër të malit, duke u ndihmuar nga haloret e pishave, si edhe era.


Shkodër, zjarri i mesditës rrezikon banesat


Një zjarr i rënë mes fshatrave Zues e Oblikë në Shkodër, në aksin Shkodër-Muriqan, ka vënë në rrezik disa shtëpi banimi, të cilat janë braktisur nga banorët nga frika e përfshirjes nga flakët. Mësohet se zjarri u shfaq në mesditë në kodrat e fshatit Zues dhe më pas i favorizuar nga era u përhap në një sipërfaqe të madhe.


Forca të policisë, FNSH e Shkodrës, të gjitha mjetet zjarrfikëse, banorë të fshatrave Zues e Oblikë janë angazhuar për izolimin e flakëve. Për ndihmë u thirrën edhe zjarrfikëse nga rrethe të tjera.


Banorët e rreth 10 shtëpive që ndodheshin pranë sipërfaqes së përshkuar nga zjarri janë larguar duke u zhvendosur në rrugën nacionale, ndërsa një pjesë e tyre me mjete rrethanore kanë ndihmuar në mospërhapjen e zjarrit. Vetëm pas rreth 4 orësh është bërë e mundur shuarja e zjarrit dhe janë larguar forcat e ushtrisë dhe ato të FNSH , ndërsa një mjet zjarrfikës dhe disa efektivë të saj kanë qëndruar për të kontrolluar ndonjë riaktivizim të mundshëm të vatrave të zjarrit.


Sipas banorëve, dëmet e shkaktuara në pemë frutore janë të shumta, ndërsa sipas zjarrfikëseve ka përshkim nga zjarri dhe jo djegie të plotë të pemëve. Për të bërë të mundur shkuarjen me shpejtësi të zjarrfikëseve në vendin ku është shfaqur zjarri, ka ndërhyrë policia e cila ka bërë të mundur lirimin e urës së Bunës.


Duke qenë me një kalim, kjo urë gjatë kësaj vere është bërë pengesë për lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse të cilëve nuk u lirohet rruga drejt zonave të Zuesit, Oblikës e Muriqanit. Sipërfaqja e përshkuar nga zjarri është rreth 3 ha.


Nuk dihen shkaqet e fillimit të zjarrit ndërsa vatra të tjera janë shfaqur dhe në zona të tjera të qarkut. Rreth orës 16:00 një vatër zjarri është shfaqur në afërsi të linjës hekurudhore Shkodër- Han i Hotit, pranë fshatit Pjetërshan të komunës Kastrat.


Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit pa dëmtuar linjën dhe trenat kanë lëvizur normalisht. Në fshatin Lohe e Sipërme në Malësi të Madhe, zjarrfikëset nuk kanë mundur të shkojnë tek një vatër zjarri, dhe pse ajo ndodhej afër banesave. Kanë qenë vetë banorët që kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit ndërsa kanë deklaruar se shteti nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për ndihmë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›