Abuzimet me pacientët, dënohen rreth 50 mjekë
Nuk u japin ndihmë mjekësore pacientëve, shënojnë vizita fiktive për qëllime përfitimi, abuzojnë me miliona me arnta e rimbursueshme. Këto janë disa nga shkeljet e mjekëve të sistemit parësor, të cilët janë denoncuar nga vetë pacientët, të cilat janë ankuar për abuzimet që po bëjnë bluzat e bardha në kurriz të tyre. Kështu, vetë Inspektoriati i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pohon se këto shkelje janë bërë 4 muajt e fundit dhe janë marrë masa ndëshkimore për rreth 50 bluza të bardha.
Abuzimet
Në të gjitha qendrat shëndetësore të kontrolluara, ndër drejtimet e kontrollit ka qenë zbatimi i disiplinës në punë nga personeli shëndetësor, ku janë konstatuar mangësi të personelit në shërbim. Konkretisht, në Qendrën Shëndetësore Sarandë, mungonte i gjithë personeli shëndetësor i qendrës. Në Qendrën Shëndetësore Kodovjat, rrethi Gramsh, një mjek, për muaj me radhë, nuk shkonte në punë. Në disa qendra shëndetësore të rrethit Krujë, Gramsh, Pukë, u konstatuan mungesa të personelit mjekësor, ku në zbatim të kontratës janë rekomanduar masa disiplinore për 8 mjekë të përgjithshëm dhe të familjes dhe ndaj 5 infermiereve. “Nisur nga ankesat e vazhdueshme të disa pensionisteve të rrethit Delvinë, u konstatua keqmenaxhim i qendrës shëndetësore nga drejtoresha e kësaj qendre, mungesë dhënieje të shërbimeve shëndetësore ndaj një pensionisti, shkelje të theksuara të detyrimeve kontratuale si mjeke e përgjithshme dhe e familjes”,- pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së, duke shtuar se, nisur nga ankesat e një subjekti farmaceutik të rrethit Lushnje, u konstatuan shkelje të theksuara të kontratës Q. SH – 2008, nga drejtori i Qendrës Shëndetësore Dushk, për dhënien ebarnave të listës së rimbursueshme me recetë pa rimbursim dhe për personat e siguruar; nga pacientët deklarohet se mjeku u kërkon lekë për vizitën, pa mandatpagesën përkatëse. Gjithashtu, bëhet e ditur se një pjese të madhe të qendrave shëndetësore u mungon grafiku dhe orari i shërbimeve shëndetësore, informimi i të siguruarve për përfitimet nga skema e sigurimeve shëndetësore, ka mungesa të pajisjeve bazë, për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, ku në raportet e kontrollit janë rekomanduar masa organizative për përmirësimin e gjendjes, të gjitha këto ndikojnë në rritjen e rolit të qendrave shëndetësore.
Shkelje të tjera
Administrimi i kartelës së pacientit paraqitet me mangësi, nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Kështu, inspektoritai ka konstatuar se ka mungesa të theksuara të ekzaminimeve laboratorike, apo imazherike, mbështetëse të diagnozës, të cilat shërbejnë si tregues të rëndësishëm të diagnostikimit e të vlerësimit të gjendjes shëndetësore të pacientit, për diagnoza si astma bronchiale, insuficiencë kardiake kronike, diabet melitus, ad. prostate. Pra, lëshohen barnat me rimbursim, pa kryer këto ekzaminime të rëndësishme. “Janë konstatuar të dhëna të pasakta të deklaruara nga mjekët, veçanërisht të indikatorit të pagesës për aktivitet si, plotësim të numrit të vizitave të një pacienti dy-tre herë brenda ditës, vetëm e vetëm për të rritur në mënyre artificiale këtë indikator pagese, mangësi në plotësimin e dokumentacionit për të dhënat e deklaruar për indikatorët cilësorë, si indikatorin e personave të paraqitur për herë të parë në vizitë te mjeku, etj”, - pohojnë inspektorët e ISKSH-së.
ISKSH-ja: Ja dënimet që u dhamë mjekëve
Masa ndëshkimore me gjoba dhe deri në pushim nga puna. Kështu, burime zyrtare të ISKSH-së, pohojnë se në total, për 4 muajt e fundit, nga Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm, janë rekomanduar masa për qendrat shëndetësore si, masë disiplinore, largim nga detyra si drejtore për Q. Shëndetsore Delvinë dhe Dushk dhe ndërprerje kontrate për një mjek në Qendrën Shëndetësore Kodovjat, Gramsh. Ndëshkimet vazhdojnë me vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna për mjekun e Qendrës Shëndetësore Dushk, Lushnje dhe vërejtje për 8 mjekë dhe 5 infermiere. Masa administrative u dhanë ndaj 25 mjekëve, në masën 146000 lekë dhe masa zhdëmtimi ndaj 13 mjekëve, në vlerën 51118 lekë. “Në Drejtorinë e Sigurimeve Shëndetësore Dibër, janë penalizuar 9 mjekë me gjobë, në vlerë 64 000 lekë, ndaj 5 mjekëve, masa zhdëmtimi në vlerë 17400 lekë, në Agjencinë e Sigurimeve Shëndetësore Pukë, janë penalizuar 4 mjekë me gjoba, në vlerë 16000 lekë dhe 5 mjekë me masa zhdëmtimi, në vlerën 28 914 lekë”,-pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së.