Transplanti i veshkave, realizohen 5 ndërhyrjet e para
Shefi i Nefrologjisë jep alarmin se dhjetëra pacientë po rrezikojnë jetën për një transplant. Godo: Gati operacionet
Radha e pacientëve që kanë nevojë për transplantin e veshkave, është shumë e madhe dhe pamundësia që ata të marrin rrugët e botës në kërkim të shpëtimit të jetës, është akoma më e madhe. Alarmin për rritjen e numrit të pacientëve për transplantin e veshkave, e ka dhënë shefi i Neurokirurgjisë në QSUT, Nestor Thereska. Por, tashmë, për herë të parë, për të zbutur sadopak këtë fenomen të dhimbshëm, për shqiptarët është hapur një dritë jeshile, pasi ata kanë mundësi të kryejnë transplantin e veshkave me fondin e qeverisë, çka do të thotë se operacioni do të jetë i rimbursueshëm. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pohoi se 5 transplantet e para u realizuan në Spitalin Amerikan nga mjekët turq, ku asistuan edhe mjekët tanë. Gjithashtu, ajo pohon se do të mundësohen rreth 15 transplante të veshkave në vit, po me fondet e qeverisë. Madje, ajo pohon se pacientëve tanë, shumë shpejt do t’u jepet mundësia që transplantin e veshkave ta realizojnë edhe në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. “Në prag të vitit 2009, shpresojmë që do bëjmë transplantin e parë në Shqipëri, në një klinikë që është ngritur në QSUT”,- pohon ajo. Ndërsa shefi i Neurokirurgjisë, pohon se në vendin tonë janë me dhjetëra pacientë në radhë për të pritur tansplantin e veshkave. “Nevojat janë të jashtëzakonshme dhe janë me dhjetëra e dhjetëra, që kanë nevojë urgjente. Në listën e pritjes janë të paktën 15-20 pacientë”.
Spitali Amerikan ka realizuar transplantin e veshkave me donatorë të gjallë në 5 pacientë, të cilët prej kohësh qëndronin në listën e pritjes. Gjithçka u arrit në sajë të bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë dhe falë fondit të qeverisë shqiptare.