E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me pronat, në pranga 41-vjeçari në Vlorë

VLORË- Ndërsa në shkallët e gjyqësorit, për të arrestuarit e operacionit "Fillimi i Vjeshtës", ndalimi është cilësuar i paligjshëm, policia vë në pranga një tjetër të akuzuar. Lajmi është bërë me dije në një konferencë për shtyp nga zëdhënësi i policisë së Vlorës, Saimir Koçiaj. "Mbrëmjen e djeshme në pranga është vënë edhe 41-vjeçari, Anastas Gjoka"- tha ai, duke sqaruar se arrestimi i tij është bërë në kuadër të zbatimit për vendimin e gjykatës së faktit Vlorë, të datës 2 tetor, e cila ka dhënë si masë sigurie "Arrest në burg". Procedimi penal ndaj këtij shtetasi ka nisur në vitin 2008, për veprën penale të "Falsifikimit të dokumenteve". Mësohet se 41-vjeçari ka falsifikuar e përdorur në interes personal një dokument të Arkivit Shtetëror të Vlorës për një sipërfaqe toke prej 38 hektarë, sipërfaqe që ndodhet pranë zonës së Vunoit.
Operacioni "Fillimi i Vjeshtës" nisi katër ditë më parë. Gjatë tij u vunë në pranga katër persona, ndërmjet të cilëve kreu i Hipotekës së Vlorës Edmond Banushaj. Po në listën e të arrestuarve ka qenë edhe kryeplaku i Vunoit. Gjykata e shkallës së parë cilësoi ndalimet për tre persona, zyrtarët e lartë të ZRPP të Vlorës dhe një ndërtues, si të paligjshëm, duke dhënë si masë sigurie detyrim paraqitje për Banushaj dhe arrest shtëpie për dy të tjerët.
Ndërkohë si ka bërë sot me dije zëdhënësi i policisë së Vlorës operacioni "Fillimi i vjeshtës" do të vijojë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›