E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Bentler: Kosova , vend i sigurt

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vlerësoi të mërkurën si të sukseshëm misionin e KFOR-it në Kosovë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë dhe jep për paqen në rajon.
Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, pas bisedimeve që zhvilloi me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Leitnant Markus Bentler, shefi i qeverisë së Shqipërisë falenderoi vendet pjesëmarrëse në këtë mision, duke cilësuar se "Shqipëria është një vend që bashkëpunon me KFOR-in dhe se do të japë mbështetjen e tij për këtë mision".
Sipas Kryeministrit Berisha, gjatë bisedimeve që pati me gjeneralin Bentler, u nda i njëjti mendim se "Kosova është një vend i sigurt dhe për këtë KFOR ka merita të veçanta". Prandaj, vijoi Kryeministri i Shqipërisë, kushtet dhe klima për të investuar në Kosovë janë shumë të favorshme.Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse mund të jetë Shqipëria pjesëmarrëse në KFOR, Berisha tha se "Shqipëria është një vend i NATO-s dhe Shqipëria mund të jetë pjesëmarrëse në KFOR".
Por, tha Berisha, ne po ndihmojmë Kosovën dhe Forcat e Sigurisë në këtë vend, sikundër do të ndihmojmë në ndërtimin e shtëpive për rikthimin e të zhvendosurve nga Kosova. Mosprania jonë në KFOR, vijoi Berisha, nuk do të thotë se ka boshllëk mes dy vendeve. Ndërkohë, gjenerali Bentler tha për përfaqësuesit e medias se ka shumë mënyra për të kontribuar dhe Shqipëria po e bën këtë. Ai konfirmoi gjithashtu bashkëpunimin e mëtejshëm me Shqipërinë, duke cilësuar se "kemi kontribuar së bashku gjatë gjithë viteve që ndodhemi në Kosovë, sikundër do të vazhdojmë të bashkëpunojmë"

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›