Korrupsioni, në pranga 3 policë të rrugores, 1 në kërkim
GJIROKASTËR- Tre policë janë arrestuar në Gjirokastër dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim. Sipas policisë së Gjirokastrës, ndalimi i tyre është bërë pas hetimit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në ngarkim të katër punonjësve të policisë së Komisariatit të Policisë Tepelenë, me detyrë punonjës policie në Qarkullimin Rrugor në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
"Gjykata e rrethit Gjyqësor Gjirokastër më datën 07.10.2009, në bazë të provave ligjore të grumbulluara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për katër punonjës policie të qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë"- thonë të njëjtat burime. Sipas tyre në pranga janë vënë Erion Zylfaj, Fatos Hysi dhe Adrian Muhameti, ndërkohë që është shpallur në kërkim Mustafa Shehu.
Nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë menjëherë pezullimi i tyre dhe ka filluar procedimi disiplinor për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit.