E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet që anuluan projektin e Bankës Botërore

Të gjitha shkeljet e konstatuara nga KLSH-ja në projektin me vlerë 11.2 milionë dollarë për zhvillimin e të ardhurave rurale
MINISTRIA E BUJQËSISË


TIRANË- Niveli i lartë i korrupsionit në Ministrinë e Bujqësisë ka detyruar Bankën Botërore të tërhiqet nga një projekt i rëndësishëm i nisur që në vitin 2002. Abuzimet e zbuluara nga inspektimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë treguar punën e dobët të bërë nga pala shqiptare dhe abuzimet e shumta.


Bazuar në këtë kontroll, Banka u tërhoq dhe projekti është mbyllur. Sot publikohen detajet e abuzimeve të Ministrisë së Bujqësisë në këtë projekt.


Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, projekti ka nisur në vitin 2002 dhe është mbyllur në qershor 2008. Realizimi do të bëhej duke marrë kredi nga Banka Botërore në shumën e 9.8 milionë dollarëve dhe kosto lokale 2.1 milionë dollarë.


Por kursi i ndryshimit të dollarit ka bërë që shuma të rritet në 11.1 milionë dollarë. Objekti i projektit ishte zhvillimi i tregut të farërave, tregut të tokës, tregjeve dhe programi i granteve në konkurrim. "Nga kontrolli rezultoi se në vitin 2007, nga donatori është kërkuar hartimi i një plani zbatimi për disbursimin e fondeve në shumën 1.6 milionë dollarë.


Por paaftësia menaxhuese e njësisë së zbatimit të projektit nuk arriti që të hartonte një plan të tillë dhe kjo shumë nuk u përdor në funksion të zbatimit të komponentëve të projektit",- thuhet në raportin e hartuar nga KLSH-ja.


Duke qenë se bëhej fjalë për një projekt me financime ndërkombëtare, Ministria e Bujqësisë ka menduar që të shtojë numrin e punonjësve. Në kontratë ishte shënuar se duhet të ishin pesë punonjës por në realitet janë paguar nga shtatë deri në 11 punonjës dhe kjo gjë ka vazhduar për gjashtë vjet. Edhe pse janë ndërruar ministrat, skema e abuzimit ka qenë e njëjtë. Sipas KLSH-së, dëmi për këtë shkelje është 4.4 milionë lekë të reja.


Në fushën e prokurimeve janë konstatuar shkelje të procedurave duke favorizuar objekte të caktuara si dhe skualifikuar ofertues me vlerë më të ulët se fituesi. Në total, dëmi i shkaktuar nga kjo shkelje arrin më shumë se 5.7 milionë lekë të reja.
Gjatë këtyre viteve janë kryer punime të shumta për këtë projekt por ka pasur raste që janë dhënë para dhe nuk janë kryer punime.


Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë paguar më shumë se tre milionë lekë të reja për punime që nuk janë kryer asnjëherë.
Për sa i takon komponentit të zhvillimit të tregjeve, KLSH ka konstatuar abuzime të shumta që kanë detyruar edhe donatorin që të tërhiqet nga projekti.


"Nga gjashtë tregje bujqësore me shpërndarje në të gjithë vendin, janë përfunduar pesë dhe është në proces tregu i Gjirokastrës. Kjo pasi janë ndërprerë fondet nga donatori për shkak të paaftësisë menaxhuese të njësisë së zbatimit të projektit. Ne kemi kontrolluar në tre tregje dhe dy nuk janë vënë ende në punë.


Tregu i Beratit në vlerë gjithsej 62.6 milionë lekë të reja, ka përfunduar në vitin 2008 por nuk është në funksionim për shkak të vendosjes së gabuar në terren",- thuhet në raportin e KLSH-së. Sipas tij, për pasojë, punimet e realizuara në këto tregje do të vijnë duke u degraduar dhe do të nevojiten fonde shtesë për t'i rregulluar.


Shkelja e fundit e zbuluar nga KLSH-ja është se i gjithë dokumentacioni i veprimtarisë së projektit është hedhur në arkivin e Ministrisë së Bujqësisë i pa inventarizuar dhe i pa arkivuar. Për të gjitha këto shkelje është bërë raporti përkatës, i cili është dërguar edhe në prokurori ndërsa donatori është tërhequr përfundimisht.


RAPORTI
KLSH: Shkeljet e Ministrisë së Mjedisit


TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar gjatë inspektimit të kryer më Ministrinë e Mjedisit shkelje që kanë ndikuar direkt në jetën e qytetarëve. Për vitet 2007 dhe 2008, kohë gjatë të cilit është kryer kontrolli, ka rezultuar se kjo ministri nuk ka hartuar programin kombëtar të monitorimit të mjedisit.


"Mungesa e hartimit të këtij programi ka bërë që monitorimi i treguesve të mjedisit për vitet 2007- 2008 të kryhet në kundërshtim me ligjin. Përveç kësaj, janë konstatuar edhe shkelje të tjera",- thuhet në raportin e KLSH-së.


Ky institucion rendit një listë shkeljesh në lidhje me dhënien e lejeve mjedisore në shumë rrethe të vendit. Lejet u janë dhënë bizneseve të ndryshme pa respektuar kriteret e ligjit dhe parametrat mjedisorë. Në shumë prej tyre nuk janë përcaktuar materialet që do të përdoren gjatë prodhimit dhe efektet e tyre në mjedis.

Një tjetër lloj shkeljeje e evidentuar nga KLSH është në mos zbatimin e kontratave të lidhura me institucionet e ngarkuara për monitorimin e mjedisit.


Ndërkohë edhe në vjeljen e gjobave ka pasur probleme të mëdha pasi vitin e parë janë vjelë katër për qind ndërsa vitin e dytë vetëm shtatë për qind. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në ministri edhe një listë me detyra që duhen kryer për përmirësimin e situatës.


Shkeljet më të vërejtura


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur punë për herë të parë në vitin 1925 duke kontrolluar financat shtetërore. Kohët e fundit KLSH ka pasur në dorë çështjen e skandalit të rrugës "Durrës- Kukës", për të cilën ka dërguar raportin e abuzimeve në prokurori por dosja e hetuar nga ky institucion ka dështuar për arsye procedurale.


Në këtë dosje ishte i pandehur ish-ministri i transporteve, Lulzim Basha, por vonesat e prokurorisë bënë që ai të shpëtojë nga gjykimi.


Sipas burimeve të KLSH-së, abuzimet zbulohen kryesisht në tatime e dogana dhe shitjen ose dhënien me qira të objekteve. Këto dy lloj abuzimesh zënë pjesën më të madhe të dëmit pothuajse në të gjitha raportet.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›