Godo: Teksti i historisë duhet të korrigjohet
Presidenti i Asamblesë Kombëtare i PR-së, Sabri Godo, flet gjatë për tekstin problematik të historisë së klasës së 12 dhe përmbajtjen e enciklopedisë maqedonase
TIRANË - Presidenti i Asamblesë Kombëtare i PR-së, Sabri Godo, e konsideron të domosdoshëm korrigjimin e tekstit të historisë së klasës së 12 në disa pjesë të tij. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Godo tha se historia duhet të jetë e paanshme nga politika.
Ai theksoi gjithashtu se për programet shkollore, Ministria e Arsimit s'mund të lejojë shtrembërime, që mund të jenë të natyrës raciste ose të natyrës ideologjike.
Z. Godo, ju si historian, si e gjykoni tekstin e Historisë së Popullit Shqiptar, për klasën e 12-të, veçanërisht për periudhën 1997 - 2005?
Unë u detyrova të lexoj paragrafët e tekstit, që kanë të bëjnë me historinë, dhe përshtypja ime e parë është që po ngrihet tepër pluhur, për një çështje që nuk vlen edhe aq. Aty- këtu, ka ndonjë frazë propagandistike në këtë tekst dhe historia si shkencë duhet të zhvishet nga formulime të tilla.
Të përpiqemi që bijve dhe nipave tanë t'u themi të vërtetën siç është, pa komente të natyrës ideologjike. Ajo që më bie mua në sy, është etiketimi që është përdorur për turbullirën e madhe shkatërruese të '97-ës. Është thënë që ishte një kryengritje komuniste.
Duke qëndruar tek ky cilësim që opozita socialiste në vitin 1997 arriti të organizojë një rebelim komunist, për ju si historian, sa qëndron një konstatim i tillë?
Unë them që kjo është e parakohshme dhe nuk ka se si të zërë vend, sepse ende nuk është bërë ndonjë studim i mirëfilltë për atë periudhë, studim shkencor, i dokumentuar dhe disa gjëra janë ende enigmë.
P.sh., hapja e depove dhe shkatërrimi i reparteve ushtarake u bë në një mënyrë të atillë, që të shkon mendja tek ndonjë organizëm i huaj që ka aftësi të bëjë operacione të tilla. Lidhur me këtë, i ndjeri Safet Zhulali tha që e vërteta mbi këtë nuk do të dalë ndonjëherë. Prandaj, është e parakohshme të thuhet ashtu siç është thënë në tekst.
A është ky një shtrembërim i qëllimshëm i historisë, i ndikuar nga politika?
Për këtë duhen pyetur ata që e kanë shkruar, sepse ata mund të kenë një bindje të atillë, por unë e përsëris që përdorimi i një termi të tillë nuk shkon.
A mund të shkruajë një historian që: "Me ardhjen e Berishës në pushtet në 2005-ën, çeli një epokë të re për zhvillimin e vendit"?
Po të më pyesësh mua, edhe unë e them këtë. Ardhja në pushtet e Berishës në 2005-ën, të paktën premtoi se do t'i priste rrugën korrupsionit dhe vagabondazhit të paduruar që u zhvillua këtu nën qeverisjen e socialistëve për pesë vjet.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për gabimet që janë vërejtur në këtë tekst?
Është e natyrshme që një lloj censure shtetërore të ketë, meqenëse bëhet fjalë për programin arsimor të shkollave. Kjo duhet të jetë nën kontrollin e Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit s'mund të lejojë shtrembërime, që mund të jenë të natyrës raciste ose të natyrës ideologjike. Tekstet duhet të jenë nën kujdesin e saj.
Doemos që nuk është Ministria e Arsimit që vihet të shkruajë, janë specialistët ata që thirren. Ministria e Arsimit, gjithsesi, mban përgjegjësi për atë që u jepet nxënësve të mësojnë, dhe që duhet të jetë gjithnjë krejt e vërteta, pavarësisht se kujt i intereson politikisht.
Ministria e Arsimit ka deklaruar se nuk do ta tërheqë tekstin nga qarkullimi, si e gjykoni një qëndrim të tillë?
Mbase nuk ka nevojë ta tërheqin. Mbase një ribotim të tekstit, duhet t'i bëjnë një korrigjim frazës lidhur me ngjarjet e '97-ës.
A mendoni se Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë është e pavarur nga pushteti politik?
Duhet të jenë të pavarur. Në kanë ndonjë ndikim apo jo, unë nuk e shoh këtë në mënyrë të dukshme, dhe të ngrihem të bëj një protestë ndaj tyre. Historia duhet të jetë e paanshme nga politika, gjë që thuhet gjithnjë, por që është edhe e vështirë të arrihet, sepse në tërë historinë e njerëzimit, ai që është në pushtet gjithnjë ka dashur të shkruajë historinë sipas prirjeve të veta.
Kjo është vërtetuar në shekuj. Tani, në kohët tona moderne, duhet të ketë më shumë kujdes nga këto gjëra, që të bëjmë shkencë dhe jo politikë në tekste.
A mendoni se Berisha ka ndikuar në hartimin e tekstet e historisë ?
Unë nuk besoj se Berisha merret me tekstet e shkollave.
A është keqpërdorur liria akademike në këtë rast?
Akademikët mund të bëjnë edhe lajthitje, dhe kemi rastin flagrant të Maqedonisë me enciklopedinë që bëri. Njerëz janë, edhe mund të gabojnë, dhe nuk është e thënë ajo që ata që shkruajnë të jetë një statut që nuk mund të preket.
A duhet të hiqet nga qarkullimi ky libër?
Jo, duhet t'i bëhet një korrigjim, sipas meje, për atë frazën që sapo përmenda, mund të bëhet një ribotim. Nuk është se ndodhemi para një skandali që po çorientojmë nxënësit, po i bëjmë keq shkollës. Thashë që kjo fryhet dhe tejfryhet vetëm e vetëm për qëllime politike. Kjo nuk është konstruktive.
A është i domosdoshëm rishikimi dhe rishkrimi i Historisë së Popullit Shqiptar?
Unë them që historia të rishikohet. Historia është një shkencë që nuk ka fund, sepse është shumë e vështirë të arrihet e vërteta që ka disa nënshtresa. Kështu që, historianët gjithnjë do të kenë punë.
Historinë asnjëherë nuk mund ta marrim si gjë të shkruar një herë e përgjithmonë, sepse mund të dalin në ecje e sipër fakte të reja, të cilat nuk i kemi njohur dhe që nuk duhet t'i injorojmë.
Lidhur me enciklopedinë maqedonase, që i cilëson shqiptarët si "ardhacakë", si mendoni, a ka bërë aq sa duhet shteti shqiptar për t'iu kundërvënë këtij cilësimi?
Unë besoj se Berisha, në takimin me Presidentin e Maqedonisë, bëri atë që duhej. Pritej fjala e tij, dhe sipas meje foli qartë.
Cili duhet të jetë veprimi i mëtejshëm që duhet të ndërmarrë Akademia e Shkencave Maqedonase?
Për sa i takon qëndrimit të fundit të Akademisë së Shkencave atje, këto dy ditët e fundit u vu re një hap pozitiv përpara, që thanë se do ta korrigjojnë, por kjo është të vesh deri në gjysmë të rrugës.
Sipas meje, kjo Akademi duhet të thotë që: "tërheqim nga qarkullimi versionin e parë që vumë në qarkullim, dhe versionin e dytë do ta shkruajmë në bashkëpunim të ngushtë me akademikët shqiptarë në Shkup dhe se do të formulojmë një tekst të ri konform realitetit historik.
Ky do të ishte qëndrimi më korrekt. Veç kësaj, duhet të prononcohet Kryeministri i Maqedonisë, i cili në promovimin e versionit të parë të shëmtuar, i doli për zot enciklopedisë dhe thuri lavde për të.
Tani ky Kryeministër që ka financuar këtë enciklopedi, dhe i ka dalë në mbrojtje duhet të ripozicionohet dhe të thotë qartë se cili është qëndrimi i tij, në mënyrë që kjo turbullirë, ky reagim i brendshëm dhe i jashtëm që shkaktoi ky botim, duhet të fashitet, të vihen gjërat në vend.
Midis Akademisë së Shkencave Shqiptare dhe asaj kosovare është nënshkruar një marrëveshje për ngritjen e një grupi pune për t'iu kundërvënë me fakte shkencore enciklopedisë maqedonase, si mendoni, sa rezultat do të japë ky grup pune dhe sa produktiv do të jetë ai?
Mua më duket marrëveshje me qëllim të mirë. Megjithatë, unë nuk do t'i vija në punë të dyja akademitë, për të riafirmuar edhe një herë figurën e Skënderbeut, të Nënë Terezës dhe të tjerëve, dhe të luftës së shqiptarëve në vitin 1991 për të fituar të drejtat e tyre. Këto tashmë janë konsoliduar.
Kemi të bëjmë me simbolet e të gjithë kombit, prandaj edhe është shqetësues problemi dhe s'kemi pse t'i hyjmë një pune natë e ditë për t'u treguar disa akademikëve në Shkup, që duket se e kanë shkruar këtë tekst më tepër në pijetoret e Shkupit, sesa në zyrat e Akademisë.
Nuk kemi pse i hyjmë një pune kaq të madhe. Kemi historinë tonë të qartë dhe duhet ta përmirësojmë më tej. Nuk e shoh këtë punë aq të nevojshme, domethënë mobilizimin e akademive për t'iu kundërvënë në fushën historike këtyre akademikëve.
Historia
Historia duhet të jetë e paanshme nga politika, gjë që thuhet gjithnjë, por që është edhe e vështirë të arrihet, sepse në tërë historinë e njerëzimit, ai që është në pushtet gjithnjë ka dashur të shkruajë historinë sipas prirjeve të veta.
Kjo është vërtetuar në shekuj. Tani, në kohët tona moderne, duhet të ketë më shumë kujdes nga këto gjëra, që të bëjmë shkencë dhe jo politikë në tekste.
Kontrolli
Një lloj censure shtetërore të ketë, meqenëse bëhet fjalë për programin arsimor të shkollave. Kjo duhet të jetë nën kontrollin e Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit s'mund të lejojë shtrembërime, që mund të jenë të natyrës raciste ose të natyrës ideologjike. Tekstet duhet të jenë nën kujdesin e saj.
Doemos që nuk është Ministria e Arsimit që vihet të shkruajë, janë specialistët ata që thirren. Ministria e Arsimit gjithsesi mban përgjegjësi për atë që u jepet nxënësve të mësojnë, dhe që duhet të jetë gjithnjë krejt e vërteta, pavarësisht se kujt i intereson politikisht.
Akademia e Maqedonisë
Sipas meje, kjo Akademi duhet të thotë që: "tërheqim nga qarkullimi versionin e parë që vumë në qarkullim, dhe versionin e dytë do ta shkruajmë në bashkëpunim të ngushtë me akademikët shqiptarë në Shkup dhe se do të formulojmë një tekst të ri konform realitetit historik.
Ky do të ishte qëndrimi më korrekt. Veç kësaj, duhet të prononcohet Kryeministri i Maqedonisë, i cili në promovimin e versionit të parë të shëmtuar, i doli për zot enciklopedisë dhe thuri lavde për të.