Abuzimi me naftën, dënohen 2 zyrtarë të Ushtrisë
TIRANE – Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor dhe dënuar magazinierin e Ushtrisë, Dali Koka, të akuzuar për shpërdorim detyre gjatë furnizimit me karburant të Forcave të Armatosura Shqiptare. Me një vendim të datës 29 shkurt 2012, Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor shtetasin Dali Koka dhe e ka dënuar atë me gjobë. Dënim është dhënë edhe për llogaritaren e repartit ushtarak të Brarit, shtetasen Engjëllushe Demçe. Sipas vendimit të gjykatës, më 29 shkurt 2012 është vendosur deklarimi fajtor i Dali Kokës, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, dhe dënimi i tij me 140.000 ( njëqind e dyzetmijë) lekë gjobë në zbatim të gjykimit të shkurtuar. Gjykata ka vendosur të deklarojë fajtore edhe të pandehurën Engjëllushe Demçe për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Në bazë të nenit 248 të K.Penal, gjykata e ka dënuar atë me 1 muaj e 15 ditë burgim dhe 300.000 lekë gjobë. Sipas gjykatës, në zbatim të gjykimit të shkurtuar, Engjëllushe Demçes i ulet 1/3 e dënimit. Për rrjedhojë, ajo është dënuar përfundimisht me 1 muaj burgim dhe 200.000 (dyqindmijë) lekë gjobë. Gjykata po ashtu ka bërë pezullimin e dënimit me burg për shtetasen Engjëllushe Demçe me kusht që ajo të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale në dy vitet e ardhshme. Dy zyrtarët e Ushtrisë janë akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për shpërdorim detyre, pasi kanë abuzuar në procedurën e furnizimit me naftë të automjeteve të Ushtrisë. Ministria e Mbrojtjes ka bërë kallëzimin penal ndaj dy zyrtarëve pas një kontrolli të ushtruar në Brigadën e Logjistikës dhe në Batalionin e Furnizimit. Sipas kontrollit, gjatë zbatimit të kontratës “Furnizim me karburant gazoil D-1 dhe D-2″ janë shkelur rregullat për pritje, marrje në dorëzim dhe administrim të karburantit nga Brigada e Logjistikës dhe Batalioni i Furnizimit. Dy të akuzuarit, sipas Prokurorisë, kanë abuzuar me fletë-hyrjet dhe fletë-daljet e naftës për llogari të mjeteve të Ushtrisë. Hetuesit kanë zbuluar se janë falsifikuar dokumentet, duke shënuar shifra fiktive sa i përket marrjes në dorëzim të karburanteve nga kompania furnizuese. Hetimi më pas ka zbuluar edhe inventarë fiktivë, duke tentuar të mbulohej situata reale e magazinimit të karburanteve që përdoreshin nga mjetet e Ushtrisë. “Në depot e magazinimit të karburanteve në repartin e Brarit është zbuluar se nuk ka tabela kalibrimi apo matës. Nga këto mashtrime i është shkaktuar shtetit një dëm prej afro 6.5 milionë lekësh”, kanë pohuar burimet e Prokurorisë. Shoqëria “Euroil”, gjatë dorëzimit të karburantit më 12 tetor 2009 ka dorëzuar analizat laboratorike së bashku me certifikatat e origjinës së karburantit nga federata ruse. Nga ana tjetër, vetë reparti nuk ka bërë analizën e karburantit për të kontrolluar cilësinë e pretenduar nga kompania “Euroil”. Nga të dhënat rezulton se është magazinuar një sasi prej 247 mijë litrash karburant me cilësi të dobët.