E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn të ndajë konfliktin, plagoset me thikë polici

Tiranë, autori i ngjarjes një 17-vjeçar, oficeri jashtë rrezikut.

Një punonjës policie i Komisariatit Nr.2 të Tiranës ka mbetur i plagosur rëndë pasi tentoi të ndalonte një sherr mes disa të rinjve në një qendër interneti. Ngjarja ndodhi mbrë-mjen e së shtunës, kur efektivi i Policisë, Nuredin Kasmi, kishte lënë turnin në punë dhe po kthehej në shtëpinë e tij, tek vendi i njohur si Fusha e Aviacionit në kryeqytet. Kur duhej të përshkruante edhe disa metra para se të arrinte te banesa e tij, efektivi Kasmi ka dëgjuar disa adoleshentë që fyenin e kërcënonin njëri-tjetrin te një qendër interneti. Duke qenë se ai e mbante ende të veshur uniformën e Policisë, pasi sapo kishte lënë orarin zyrtar të punës, është afruar për parë se çfarë po ndodhte, por edhe me mendimin se autoriteti i policit me uniformë do ndikonte për parandalimin e ndonjë ngjarjeje të rëndë. Adoleshentët sapo kanë parë policin që u është afruar, kanë ndaluar sherrin me njëri-tjetrin dhe i janë “sulur” Kasmit. Ndërkohë ai ka pasur mundësi sa për të lajmëruar grupin e gatshëm. Ai ka njoftuar për përforcime nga Komisariati Nr.2. Burime nga Policia thanë se disa nga të rinjtë që ishin përfshirë në sherr kanë arritur të largohen sapo kanë parë punonjësin e rendit që po afrohej, ndërsa disa të tjerë kanë shfaqur rezistencë, edhe pse ai vazhdimisht u ka kërkuar të ndalonin duke u prezantuar se ishte punonjës policie. Madje, disa prej tyre ka arritur t’i largojë, derisa një 17-vjeçar e ka goditur disa herë me thikë në trup. Pasi e ka lënë të shtrirë dhe të gjakosur efektivin Nuredin Kasmi, adoleshenti A. Meçi është larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes. Ndërsa brenda pak sekondash ka mbërritur edhe grupi i gatshëm. Efektivi i plagosur ka arritur t’u tregojë kolegëve drejtimin nga ishte larguar i dyshuari, ndërsa e transportonin me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe sipas mjekëve gjendja e tij paraqitet mjaft e rëndë, edhe pse e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa i dyshuari A. Meçi, është arrestuar në afërsi të Unazës së Re nga shërbimet e Komisariatit Nr.6. Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe një thikë me të cilën dyshohet të jetë kryer plagosja. Polici i plagosur, sipas mjekëve, është dashur t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale ndërsa disa orë më vonë gjendja e tij ka qenë e stabilizuar. Mbrëmë burimet nga spitali thanë se polici i plagosur është në gjendje jashtë rrezikut për jetën.

Policia
Fenomeni i kundërshtimit apo dhunës së ushtruar ndaj forcave të Policisë është kthyer në një problem shqetësues sa i përket krimit të rrugës në Tiranë. Thuajse çdo ditë dhe çdo javë, policia referon për ndjekje penale në Prokurori qytetarë të ndryshëm të cilët gjatë një shoqërimi të bërë nga policia apo gjatë një ndërhyrjeje kanë kundërshtuar forcat e rendit. Në disa raste janë efektivat e Policisë ata që mbeten të lënduar.

Hetimi
Policia e Tiranës mësohet se ka identifikuar personat e pranishëm në konfliktin ku mbeti i plagosur oficeri i Komisariatit Nr.2. Pas identifikimit të tyre, grupi i hetimit ka marrë në pyetje të gjithë të pranishmit me qëllim zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur plagosja e oficerit. Sipas procesverbaleve të mbajtura nga policia në vendin e ngjarjes, mësohet se oficeri ka qenë me uniformë në momentin kur është qëlluar me thikë nga 17-vjeçari, tashmë i arrestuar me akuzën e plagosjes.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›