Tetë vjedhje në Tiranë, arrestohet çifti i të fejuarve
TIRANE – Një çift të fejuarish janë arrestuar gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme, gjatë një operacioni të Komisariatit Nr.1 të Tiranës, të koduar “Bujtina 18″. Burime nga Policia thanë se në pranga kanë përfunduar 31-vjeçari Endrit Avdia dhe e fejuara e tij, Megi Maknori, 19 vjeçe. Ata ishin liruar nga gjykata vetëm disa ditë më parë, me masë sigurie “detyrim paraqitjeje”, pasi ishin arrestuar për vjedhjen e një telefoni në repartin toksikologjik në Spitalin Ushtarak. Ndërsa këtë herë janë kapur në flagrancë duke vjedhur një lap-top dhe disa bizhuteri në apartamentin e një familjeje në Bujtinën Nr.18, në Qytetin Studenti në Tiranë. Policia ka arritur të dokumentojë implikimin e tyre edhe në 8 raste të tjera vjedhjesh që kanë ndodhur në zona të ndryshme në kryeqytet. Sipas Policisë, çifti që rezulton të jenë përdorues droge, vjedhin kryesisht lap-top dhe bizhuteri, të cilat më pas i shisnin. Djali i arrestuar, Endrit Avdia, rezulton person me disa precedentë të mëparshëm penalë. Ai është arrestuar disa herë nga Policia e kryeqytetit për akuza të ndryshme. Fillimisht për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, disa herë të tjera për vjedhje të kryera në bashkëpunim. Në vitin 2009 ai u bë edhe protagonist i një pengmarrje, duke i hequr lirinë një të riu në Yzberisht vetëm se nuk i kishte paguar një telefon që ia kishte shitur. Ndërsa së fundmi ai është arrestuar disa herë për vjedhje e drogë, bashkë me të fejuarën e tij, Megi Maknori.