Vrasja e Eleni Bashos, dosja në polici për ekzekutorin

Ilia Basho në gjyq
TIRANE – Ilia Basho po i kalon ditët në qelitë e paraburgimit në kryeqytet me akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e gruas së tij, Eleni Basho, por sipas hetimeve, ai që shkrepi armën është ende i lirë. Policia dhe Prokuroria kanë zbuluar implikimin e bashkëshortit të viktimës në ngjarje, mirëpo nuk kanë arritur të identifikojnë personin që qëlloi me dy plumba pas shpine laboranten dentare Eleni Basho. Për këtë arsye, pas analizimit të provave e dëshmive të mbledhura deri tani, Prokuroria ka vendosur ta delegojë në Polici dosjen që bën fjalë për identifikimin e dorasit të vrasjes së Eleni Bashos. Grupi i hetimit mësohet se i ka lënë detyra policisë për kryerjen e veprimeve hetimore të nevojshme, me qëllim identifikimin e personit që ka qëlluar me armë ndaj Eleni Bashos. Policisë i është kërkuar që të kryejë veprime operative me qëllim identifikimin e personit, i cili në bashkëpunim me Ilia Bashon, ka kryer vrasjen. Eleni Basho u ekzekutua me dy plumba mbrëmjen e 2 shkurtit 2012 në Tiranë. Ajo kishte shpërndarë disa porosi për materiale dentare dhe me autobus po kthehej në shtëpi. Pak metra larg banesës së saj në Shkozë, pasi kishte zbritur nga autobusi, Eleni Basho u qëllua me dy plumba pas shpine dhe për pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme. Dy javë pas ngjarjes, në pranga ra bashkëshorti i Elenit, shtetasi Ilia Basho. Ai u akuzua se kishte vrarë të shoqen me të cilën nuk po shkonte mirë që kur ajo kishte zbuluar tradhtinë bashkëshortore dhe po planifikonte divorcin. Ilia dhe Eleni Basho kishin një biznes të konsoliduar në fushën e materialeve dentare, ndërsa pronare e aksioneve me letra ishte viktima e vrasjes së ndodhur më 2 shkurt. Emri i saj kishte mbetur në letra që në vitin 2003 kur u hap kompania “Nova Dental”. Në këtë kohë, Ilia Basho vendosi emrin e gruas në biznesin e tij, pasi vetë ishte punonjës i Tatimeve dhe pengohej të ushtronte biznes nga konflikti i interesit. Çifti Basho kishte gjithashtu edhe një banesë luksoze në Shkozë pranë vendit ku u vra Eleni Basho. Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë burg pa afat ndaj Ilia Bashos, ndërsa avokati i tij e ka çuar çështjen në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Ilia Basho nuk e ka pranuar akuzën, ndërsa prokuroria ka thënë se ka dëshmitarë dhe prova shkencore që e implikojnë biznesmenin në bashkëpunimin për vrasjen e Eleni Bashos.