Abuzimi me faktet

Shpesh në debate, mazhoranca abuzon me faktet që janë konstatuar dhe që citohet në raportin e OSBE/ODIHR-it. Madje shkon edhe më tej, duke thënë se tashmë problemet dihen, hajde të ulemi dhe të bëjmë ndryshimet në Kodin zgjedhor, nuk ka prova për manipulime dhe nuk mund të bëhen hetime
Nga Vasilika Hysi
Sot është dita e parë për mua që marr fjalën në këtë foltore të nderuar. Erdhëm këtu, falë vullnetit të atyre që na votuan për ti përfaqësuar, për të qenë modeli i një politike të re dhe për të dhënë zgjidhje të reja për problemet e tyre të vjetra.
Por ndihem keq, pas 20 vjetësh liri për të ndërtuar demokracinë, diskutimin tim të parë në parlament po e bëj për një çështje që është themeli i demokracisë. Është çka fëmija në klasën e parë fillore e mëson në lëndën Njohuri për shoqërinë lidhur pikërisht për transparencën e votës, për të drejtën që ka gjithkush prej nesh që të vendosë për ata që do të na qeverisin dhe për votën e secilit që do të lexohet ashtu si hidhet në kutinë e votimit.
Për më shumë se 8 muaj opozita e bashkuar, e majtë dhe e djathtë, ka kërkuar transparencë të plotë e të pakushtëzuar para publikut të çdo gjëje që lidhet me zgjedhjet e 28 qershorit. Jo për të ndryshuar rezultatin, po për të ndryshuar rrjedhën e një historie 20 vjeçare zgjedhjesh të deformuara e të kontestuara. Jo për të marrë pushtetin përmes hetimit parlamentar, po për të mos lejuar më kurrë që pushteti të merret përmes korrupsionit elektoral.
Kushtëzuam marrëdhënien tonë me parlamentin sepse menduam dhe mendojmë që pa hetuar zgjedhjet nga ka dalë, ky parlament nuk ka legjitimitet për të nxjerrë ligje për qytetarët e grabitur në të drejtën themelore për të vendosur për parlamentin e tyre. Pasi çështja jonë parimore u ndërkombëtarizua dhe pasi prova e rëndë e Ruzhdies doli në dritë duke tronditur të madhe e të vogël, erdhëm t'i japim këtij parlamenti një shans për të fituar moralin e humbur në zgjedhjet e shkuara.
Si qytetare, po edhe pedagoge e të drejtës prej shumë vitesh, u ndjeva keq në debatet e komisionit të ligjeve, ku nisma e PS dhe argumentet tona tërësisht juridike e profesionale, jo vetëm që ranë në vesh të shurdhër, por u komentuan nga koleget tanë të palës tjetër jo juridikisht, jo profesionalisht, madje as jo shqip. Aty dëgjuam nga juristë se kjo nisëm paska të bëjë me probleme të brendshme politike të opozitës, me prirjen e saj që të mos respektojë Kushtetutën, pavarësinë e gjykatave dhe, akoma me keq, me qëllimin që paskemi në kundër integrimit te Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Për hir të vërtetës është e kundërta, krejt e kundërta. Ne e duam këtë transparencë, pikërisht sepse respektojmë Kushtetutën, ligjet e vendit, liritë e të drejtat e qytetareve dhe mishërojmë si individë e si forcë politike aspiratën e integrimit të familjes shqiptare në Bashkimin Europian.
Ndërkohë natyrshëm lind pyetja: Në cilën periudhë postkomuniste, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar brenda një harku kohor 4 vjeçar, plot 20 nisma ligjore si antikushtetuese? Në cilën periudhë, Gjykata Kushtetuese ka deklaruar në katër raste, objektin e komisionit hetimor parlamentar si antikushtetues? Kush është forca që ka ngritur komisione hetimi, objekti i të cilave është deklaruar antikushtetues?
Pikërisht në katërvjeçarin e kësaj maxhorance që edhe sot vazhdon të shkelë Kushtetutën duke penguar transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive të krimit elektoral të 28 qershorit.
Në diskutimin për hetimin e zgjedhjeve në komision, po edhe këtu në sallë, vazhdoj të ndihem keq duke dëgjuar se për hir të faktit që deputeti nuk mban përgjegjësi për ato që thotë gjatë punës së tij dhe në lidhje me detyrën, përfaqësuesit e maxhorancës vazhdojnë të thonë gjëra pa asnjë sens juridik e profesional në raport me ligjin, për të cilat në çdo shkollë sado modeste të së drejtës do të mbeteshin në klasë. Këtë qëndrim nuk mund ta motivojë ndërgjegjja profesionale, po vetëm frika. Frika nga e vërteta e atyre kutive ku janë rrënjët e degradimit të paparë të qeverisjes në gjithë këta muaj.
E vetëdijshme për atë që fshihet në kutitë e Ruzhdieve të 28 qershorit, maxhoranca mohon forcërisht të drejtën kushtetuese të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve nga organet e pushtetit publik; Kuvendit i hiqet mundësia të evidentojë shkaqet e shkeljes se ligjeve dhe i mohohet e drejta që të marrë masa për parandalimin e fenomeneve që kanë ekzistuar këto 20 vitet e fundit lidhur me zgjedhjet duke mos lejuar që hetimi parlamentar të bëjë transparencë të plotë e të pakushtëzuar.
Duke injoruar rolin real të Komisionit hetimor parlamentar në hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe çdo zgjedhjeje të mëpasshme, mohohet e drejta e kontrollit parlamentar të përfaqësuesve të popullit për mënyrën sesi zbatohen ligjet e votuara në këtë sallë, që është përmbushje e detyrimit themelor demokratik të transparencës me publikun. Por pa këtë kontroll, pushteti ekzekutiv shkon drejt absolutizimit dhe arbitraritetit që shkatërron të gjithë ekuilibrat kushtetues të vendit. Një pushtet i tillë është kosto e rritur për qytetarët në çdo hap, në çdo faturë, në çdo shërbim.
Shpesh në debate, mazhoranca abuzon me faktet që janë konstatuar dhe që citohet në raportin e OSBE/ODIHR-it. Madje shkon edhe më tej, duke thënë se tashmë problemet dihen, hajde të ulemi dhe të bëjmë ndryshimet në Kodin zgjedhor, nuk ka prova për manipulime dhe nuk mund të bëhen hetime.
Në fakt, me qëllim ngatërrohet roli i OSBE/ODIHR-it dhe komisionit hetimor parlamentar. OSBE/ODIHR është vëzhgues e fotografues i asaj që ka parë dhe bën rekomandime; ndërsa komisioni hetimor parlamentar ka funksione kontrolluese të zbatimit të ligjit dhe rekomandon për zgjidhjen e problemeve; nëse dalin prova që përmbajnë elementë të veprës penale ato referohen në prokurori.
Shumë fakte që përmenden në raportin e OSBE/ODIHR tregojnë dyshime të arsyeshme për manipulime të shumta. Sigurisht provat e manipulimit të tipit Ruzhdie as mund t'i kapte as nuk mund ti hetonte OSBE/ODIHR. Ato janë në kutitë e votimit dhe janë pjesë e objektit të hetimit parlamentar.
Kolegët e palës tjetër nuk iu përgjigjen dot pyetjes sesi mund të bëhet verifikimi i vërejtjeve të cituara në raportin e OSBE/ODIHR apo i të dhënave dhe dyshimeve të arsyeshme që disponon PS-ja pa këqyrur dokumentet zgjedhore dhe fletët e votimit.
Si mundet për shembull që në disa qindra qendra votimi, që në mënyrë të paligjshme janë caktuar në shtëpi private të militanteve të pushtetit nga ana e KQZ-së, mund të verifikohet tjetër përveçse përmes shqyrtimit të dokumenteve zgjedhore që janë në kuti, të verifikohet shkalla e zbatimit ose moszbatimit të ligjit?
Të hetosh nuk do të thotë vetëm të marrësh në pyetje persona por edhe, madje sidomos, të këqyrësh dokumente. Dokumentet themelore për hetimin dhe transparencën e 28 qershorit janë të kyçura në kutitë e materialeve zgjedhore dhe ato të fletëve të votimit. Ndonëse, në mënyrë të përsëritur kërkohet të dihet se cili nen i Kushtetutës ose ligjit cenohet, kur kërkohet këqyrja e dokumenteve zgjedhore, pala që pengon hetimin nuk citon asnjë nen konkret, por përsërit si një shirit i vënë në lëvizje mekanikisht se kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën.
Meqenëse nuk citoni ndonjë nen që ndalon këqyrjen e dokumenteve zgjedhore, pasi në të vërtetë ai nuk ekziston, unë po ju sjell në vëmendjen tuaj nenin që lejon dhe detyron institucionet që të jenë transparentë. Informimi është e drejtë e njohur nga neni 23 i kushtetutës dhe ligji për të drejtën e informimit. Kutitë me materialet zgjedhore dhe flet