Abuzimi me tenderat e rikonstruksioneve të komisariateve, SPAK dërgon për gjykim Plarent Ndrecën dhe 15 të tjerë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim deputetin socialist Plarent Ndreca për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera” në kohën kur mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Së bashku me Ndrecën për gjykim janë dërguar edhe Denisa Skënderaj, Blendi Kovi, Lira Kolasi, Ferdinant Tarazhi, Grida Isufi, Jonarda Qurku, Lindita Mukaj, Silva Dauti, Denisa Klosi, Julia Hysa, Elora Kokalari, Aida Shehi, Klejdi Meço, Emiliano Mehmeti dhe Erand Rroboçi, nën akzuë për shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikime të dokumenteve.
Sipas SPAK, Plarent Ndreca akuzohet për pabarazi në tendera dhe ankande publike, lidhur me procedurën për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës kur mbante detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi ndaj këtyre individëve u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili vuri në dukje shkeljet ligjore në procesin e tenderave për rikonstruksionin e komisariateve të Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe Komisariatit Nr. 4 në Tiranë.
/rtsh.al/