E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me ujin, ndëshkime me gjobat dhe heqje të pompave

Banorët e zonës "Komuna e Parisit" ankohen se u mungon uji, nuk kanë siguri për cilësinë dhe faturuesit e ujit abuzojnë


Ndëshkime për abuzuesit e ujit dhe pompat e ujit të vendosura në kolonat e pallateve në mënyrë të jashtëligjshme do të hiqen. Këto janë disa nga masat që do të marrë drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, të cilët kanë theksuar se do të ketë tolerancë zero ndaj abuzuesve.


Pikërisht dje, në zonën e "Komuna e Parisit", si zona më problematike me furnizimin me ujë u organizua një debat publik mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të ndërmarrjes së Ujësjellësit mbështetur nga qendra Ekolëvizja dhe Miliu Kontakt. Banorët e zonës shprehën shqetësimin e tyre jo vetëm për mungesën e ujit, të cilësisë së tij, por dhe të abuzimeve të faturistëve.


Abuzimet


Abuzuesit e rrjetit të ujësjellësit do të ndëshkohen më gjoba, nëse bëjnë ndërhyrje të paligjshme në rrjet. Kështu u shpreh drejtori teknik i Ujësjellësit për zonën e Tiranës, Luan Peti, i cili theksoi se për abuzuesit familjarë gjobat do të jenë 10 mijë lekë, ndërsa për bizneset do të jetë 50 mijë lekë.


Por, sipas tij, ndëshkime do të ketë edhe për pompat e mëdha të vendosura në kolonat e pallateve dhe që janë të jashtëligjshme. "Do të hiqen këto pompa, pasi ato ndikojnë mbi rrjet dhe janë të paligjshme", thekson ai, duke shtuar se ndëshkimet do të jenë edhe ndaj faturistëve të ujit që abuzojnë me qytetarët.


Por, nga ana tjetër, Prifti nuk mundi t'u jepte banorëve përgjigje, nëse do të ketë ndëshkime ndaj strukturave përgjegjëse që nuk janë korrektë me furnizimin me ujë ndaj banorëve, të cilët janë edhe klientë të këtij produkti.


"Më thoni zotëri, kur uji mungon në shtëpinë time pa asnjë lajmërim dhe aq më tepër edhe e paguaj, a mund të di kush ndëshkohet në këtë rast", thekoi banori Edvin Pacara.


Ankesat


Banorët e zonës "Komuna e Parisit" kanë hedhur një lum ankesash mbi përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve, të cilët nuk i kanë kursyer kritikat ndaj këtij shërbimi. "Uji na vjen me orare ose ka raste që mungon fare.


Sa për cilësinë kemi frikë ta përdorim. Na thoni kur do kemi ujë 24 orë në shtëpi dhe a mund të jemi të sigurt për ujin që pimë", thekson njëri nga banorët. Por, ankesat e tyre nuk mbarojnë këtu, pasi ata pohojnë se janë ndier të abuzuar nga faturistët e ujit.


"Faturistët e ujit nuk e shohin fare se kemi shpenzuar, por i shënojnë faturat si të duan. Para dy muajsh e mbylla shtëpinë dhe shkova tek fëmijët me gruan në Greqi dhe kur erdhëm pamë faturën që kishte ardhur njësoj sikur ishim në shtëpi.


Se kush e kishte shpenzuar ujin e shtëpisë sonë se kuptuam kurrë, por hëngrëm faturën në kurriz", pohon njëri nga banorët. Ndërsa drejtori Luan Peti theksoi se situata në këtë zonë është përmirësuar me ujë, por ka ende për të bërë dhe sa i takon cilësisë së ujit, ai siguroi qytetarët se mund të pinë ujë pa problem.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›