E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furrat e Bukës inspektohen për higjienën

07/07/2010 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, aksion duke filluar nga Rruga e Kavajës e deri në Kombinat.

Masa ndëshkimore për subjektet që tregtonin produkte ushqimore të falsifikuara.

Pranvera Kola

Respektimi i kritereve të higjienës nga subjektet prodhuese të bukës është shndërruar në objektin kryesor të kontrolleve të ushtruara gjatë ditës së djeshme nga Inspektorati i Kontrollit Ushqimor dhe AKU, duke filluar nga Rruga e Kavajës e deri në Kombinat. Nuk kanë qenë të pakta rastet ku për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare, shumë furra buke kanë vënë në rrezik shëndetin e banorëve nga marrja e sëmundjeve të ndryshme. Në këtë mënyrë, inspektimet gjatë stinës së nxehtë, sipas autoriteteve të ushqimit, bëhen për të parë kushtet higjieno-sanitare të ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore, evidentimin e problemeve të sigurisë dhe cilësisë së produkteve të konsumit, si dhe për të marrë masat e duhura për eliminimin e fenomeneve që cenojnë shëndetin dhe interesat e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg. Burimet zyrtare të këtij institucionin bëjnë të ditur se këto kontrolle gjithashtu do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Vëzhgimi

Në vijim të kontrolleve që organizohen në stinën e verës, gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një kontroll i përbashkët i Inspektoratit të Kontrollit Ushqimor me mbështetjen e Autoritetit Kombëtar tek të gjitha furrat e bukës që shtrihen përgjatë zonës së Rrugës së Kavajës deri në Kombinat. Ekspertët pohojnë se monitorimi është ndalur në gjithë problematikën e prodhimit të bukës. “Pikërisht për këtë arsye, kontrolli u përqendrua në lëndën e parë, dokumentacionin shoqërues, siç është certifikata e origjinës dhe ajo e cilësisë, kushtet e magazinimit, të ruajtjes dhe përpunimit dhe cilësinë e sigurinë e produktit përfundimtar. Nga puna e kryer në terren ka rezultuar se furrat e bukës, të cilat ishin objekt kontrollit, kishin kushte të mjaftueshme të sigurisë ushqimore”, pohohet nga autoriteti i inspektimit. Nga ana tjetër u kontrolluan dhe kushtet higjieno-sanitare të ambienteve ku prodhohet buka, kushtet tekniko-teknologjike të këtij procesi, kushtet higjieno-sanitare të mjeteve të punës, kushtet higjienike dhe pajisja e stafit të këtyre operatorëve të biznesit me librezë shëndetësore dhe përgatitjen e tyre profesionale.

Sëmundja e patates

Përparësi të veçantë pati dhe inspektimi për sa i përket eliminimit të faktorëve që çojnë në shfaqjen e sëmundjes së patates, e cila në kushtet e temperaturave të larta bëhet me evidente dhe kërkon një përkujdesje të veçantë. Nga ana e inspektorëve u pa me përparësi ky problem dhe iu kërkua të gjithë operatorëve që të zbatohen me rreptësi normat tekniko-teknologjike dhe higjieno-sanitare, për të bërë të mundur parandalimin e kësaj sëmundjeje. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndërtohet mbi një koncept solid reforme, pasi ka të shkrirë në një 5 inspektorate. Reforma, e cila po ndërmerret aktualisht me kalimin gradual të funksioneve, synon ta bëjë atë serioz, të ndershëm dhe kompetent. Kjo reformë synon gjithashtu që AKU dhe inspektoratet e vendit në tërësi t’i nxjerrë nga arbitrariteti.

Tregjet ushqimore

Një tjetër aksion monitorimi për sigurinë ushqimore është zhvilluar gjatë ditës së djeshme pranë tregut ushqimor të ish-uzinës “Dinamo” në kryeqytet. Kontrolli ka për qëllim të garantojë kushtet dhe mënyrën e ruajtjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore, të cilat veçanërisht gjatë verës kthehen në rrezik për shëndetin e konsumatorit, në rastet kur tregtarët nuk respektojnë kushtet higjieno sanitare. Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë po monitorojnë kushtet higjieno-sanitare të shitjes së produkteve bulmetore. Pas kontrollit të ushtruar në këtë zonë, ka rezultuar se në dy prej subjekteve ka pasur probleme të shumta me tregtimin e djathit, në të cilin është vërejtur përmbajtje amidoni. Për këto subjekte janë marrë masat ndëshkimore me gjobë. Ndërkohë që të gjithë tregtarëve u është kërkuar që të vetëdeklarojnë në dokumentet e shoqërimit përdorimin e amidonit në teknologjinë e prodhimit, detyrim ligjor ky për të mbrojtur konsumatorin nga prodhimet e falsifikuara. Megjithatë, monitorimet do të vijojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›