Mjekimi i pakujdesshëm, tri vite burg mjekut

Nuredin Fejziu akuzohej nga prokuroria edhe për korrupsion pasiv, pasi kishte marrë para nga i fejuari i viktimës
Rakela Vladi vdiq pas mjekimit të marrë në spital, ndërsa në kartelën e vdekjes ai shënoi shkak drogën, ndonëse femra kishte shenja dhune
TIRANË- Dënohet me 3 vite burg dhe po kaq vite mos ushtrim të detyrës mjeku Nuredin Fejziu për akuzën e "mjekimit të pakujdesshëm" që solli vdekjen e shtetases Rakela Vladi në prill të 2007 në ambientet e urgjencës së Spitalit Ushtarak të Tiranës.
Ka qenë treshja gjykuese e Gjykatës së Shkallës së Parë e kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo, që pasi shqyrtuan dosjen penale në 22 seanca gjyqësore, u bindën se i pandehuri Fejziu ka kryer vetëm veprën penale të "mjekimit të pakujdesshëm".
Vepër kjo, që është konsumuar nga mos kujdesi ndaj vajzës 33- vjeçare e cila ishte dërguar në Spital nga i dashuri i saj Valentin Hoti, në gjendje të rëndë, e gjakosur në hundë, e mavijosur në sy, duar, këmbë, në brinjë, mbrapa veshit si dhe me buzë të çarë.
Në seancën e djeshme gjyqësore, kryesuesi i treshës gjykuese lexoi vetëm diapozitivin e këtij vendimi që zgjati rreth 12 minuta, ku e deklaruan të pandehurin Fejziu fajtor për akuzën e "mjekimit të pakujdesshëm" dhe e shpallën të pafajshëm për akuzën e "Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike".
Ndërkohë, vetë i pandehuri në fjalën e tij kërkoi drejtësi dhe pafajësi nga gjykata, edhe pse në seancën e kaluar prokurori i çështjes kërkoi nga togat e zeza dënimin e të pandehurit me 4 vite burg për akuzën e "mjekimit të pakujdesshëm" dhe një vit burg për akuzën e "Korrupsionit pasiv të personit që ushtron funksione publike". Mësohet se gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e datës 8 prill 2007 në kryeqytet.
Aty rreth orës 20:30 të asaj date, i dashuri i viktimës, Valentin Hoti, i shoqëruar nga shtetasi me inicialet M.O. janë paraqitur në urgjencën e Spitalit Ushtarak me 33- vjeçaren në gjendje jo të mirë shëndetësore. Mjeku roje tashmë i dënuar, Fejziu, ka filluar mjekimet e para karshi vajzës 33- vjeçare, që sipas deklarimeve të mjekut viktima kishte buzën e çarë, njërin sy të mavijosur, nga hunda i rridhte gjak dhe duar të nxira.
Për këto shenja, i dashuri i vajzës Hoti i kishte pohuar se e kishte qëlluar me një shpullë për shkak të një debati mes tyre. Ndërkohë, në momentet e ndërhyrjes për dhënien e ndihmës së parë mjekut roje i dashuri i vajzës i ka dhënë 5 mijë lekë të reja, duke i kërkuar ta mjekonte.
Më pas, pas 20 minutave, mjeku roje Fjeziu e ka liruar vajzën nga spitali duke shënuar në raport e helmuar nga droga (por nuk kishte lajmëruar policinë dhe nuk kishte kryer ndonjë analizë laboratorike për konstatimin e lëndës narkotike).
Me të dalë nga hyrja kryesore e Spitalit gjendja e vajzës është rënduar dhe pas 10 minutave është kthyer prapë në Spital por tashmë në gërhamat e fundit.
Edhe pas ndërhyrjes së mjekut reanimator, vajza nuk ka mundur të shpëtojë dhe në raportin e vdekjes mjeku ka shënuar "vdekje nga overdoza". Por, ky konkluzion i mjekut është rrëzuar nga akt-ekspertimi mjeko ligjor pas vdekjes, që ka konstatuar se në gjakun e vajzës nuk kishte asnjë gjurmë lënde narkotike.
Ekpsertët: Fejziu kreu trajtim me mangësi
Sipas akt-ekspertimit mjeko ligjor që pritet që togat e zeza ta rendisin në argumentimin e vendimit të dënimit, i pandehuri Nuredin Fejziu ka mangësi të theksuar në lidhje me trajtimin dhe ekzaminimin e nevojshëm mjekësor ndaj 33 vjeçares Vladi. "Këto mangësi që përbëjnë shkelje mjekësore të formës së pakujdesisë janë shfaqur në drejtimin e mos kryerjes së lavazhit të stomakut.
Mosmarrjes së hollësishme të anamnezës së helmimit dhe moskryerjes së një ekzaminimi të detajuar të pacientes, të cilat duhej të pasqyroheshin në dokumentet mjekësore përkatëse.
Mos kryerja e ekzaminimeve të ndryshme laboratorike për vlerësimin e gjendjes së saj. Mos shtrimin në spital të viktimës Rakela Vladi, mangësi këto që kanë ndikuar në ardhjen e vdekjes së 33 vjeçares",-thuhet ndër të tjera në vendimin e dy ekspertëve mjeko-ligjorë.
Ish- i dashuri u hetua për shkaktim vetëvrasjeje
Ish-i dashuri i 33- vjeçares, Valentin Hoti, është hetuar nga prokuroria e kryeqytetit për akuzën e "shkaktimit të vetëvrasjes" pasi dyshohej që dhuna e konstatuar në trupin e vajzës ka ardhur nga dhuna e ushtruar nga i dashuri dhe akuzën "korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" pasi i kishte ofruar 5 mijë lekë të reja mjekut të pandehur Nuredin Fejziu.
Nga Gjykata e Shkallës së Parë, por me një trup tjetër gjyqësor, i pandehuri Hoti është deklaruar fajtor për të dy këto vepra penale dhe dënuar në total me 1 vit e 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë.
Por, pas ankimit të vendimit, Gjykata e Apelit ka vendosur edhe pse ka konstatuar dhunën në trupin e vajzës, të pafajshëm për akuzën e "shkaktimit të vetëvrasjes" dhe fajtor për akuzën e "korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike" duke dënuar me kusht për 18 muaj që mos të kryejë asnjë vepër tjetër penale.
Familja: Drejtësi kriminale
Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet që deklaroi fajtor mjekun Feziju dhe e dënoi atë vetëm me tre vite burg, ka sjellur reagime të ashpra të familjarëve të vajzës.
Ata të kontaktuar nga "Shekulli" nuk kursyen akuza të rënda ndaj ish-të dashurit të vajzës së tyre, shtetasin Valentin Hoti, mjekun e dënuar dje Nuredin Fejziu, ekspertët e mjekësisë ligjore, oficerët dhe prokurorët e çështjes si dhe vetë trupin gjykues.
Të gjithë këta, sipas babait të vajzës Ded Vladi, janë pjesë e rrjetit kriminal që në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me afera korruptive fshehin dhe mbrojnë autorin e vrasjes me paramendim të vajzës së tij 33- vjeçare Rakela Vladi. Vrasje, kjo që sipas tij, ka ardhur me vetëdije dhe për interesa financiare nga ish-i dashuri i saj.