E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi, nën hetim krerët e sektorit të naftës

Burime zyrtare nga Prokuroria e Beratit, dje bënë me dije se ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj shefit të sektorit të prodhimit të naftës, dhe përgjegjësit të sektorit të naftës."U dhanë paga punonjësve fiktivë". . 

KUÇOVË - Ndërmarrja e Prodhimit të Naftës në qytetin e Kuçovës dyshohet të jetë përfshirë në një skandal abuzimi me pagat e punonjësve. Burime zyrtare nga Prokuroria e Beratit, dje bënë me dije se ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj shefit të sektorit të prodhimit të naftës, Romeo Harizi dhe përgjegjësit të sektorit të naftës, Arben Musagalliu. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se disa ish-punonjës (punonjës fiktivë) kanë përfituar paga për një periudhë disamujore nga ana e ndërmarrjes në fjalë. Mësohet se një muaj më parë, pranë Sektorit kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit mbërritën informacionet e para se, disa persona pa qenë punonjës të ndërmarrjes, merrnin paga në mënyrë të rregullt. Menjëherë, agjentët e antikrimit kryen veprimet e para hetimore në Ndërmarrjen e Prodhimit të Naftës në Kuçovë dhe më pas çështja i kaloi Prokurorisë. Ndërkohë, dje hetuesit e çështjes bllokuan gjithë bazën materiale të borderove të kësaj ndërmarrjeje. Dyshimet e para hedhin dritë mbi faktin se më shumë se dy persona, për një periudhë disamujore merrnin paga pranë ndërmarrjes pa qenë punonjës të saj. Bëhet fjalë për punëtorë që ishin larguar nga puna dhe që trajtoheshin me asistencë për një vit. Ndërsa regjistrat e borderotë po kalojnë në sitën e Prokurorisë, përgjegjësia bie mbi shefin e sektorit të prodhimit të naftës, Harizin dhe përgjegjësin e sektorit, Musagalliun. Nëse vërtetohen dyshimet për dhënien e pagave për punonjës fiktivë, këta dy të fundit do të vihen nën akuzë për "shpërdorim detyre".
(GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›