E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzuan me kontratat, Prifti pezullon 7 leje mineralesh

Reforma Ministria e Ekonomisë nis kontrollet në minierat e Bulqizës. Të tjera sanksione

Pas kontrolleve dhe verifikimeve të ushtruara në terren, Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë mori vendimin për t’u hequr licencat 7 shoqërive private, kurse për 5 të tjera shkurtim të zonës së shfrytëzimit. Kështu, ministri Dritan Prifti vë në zbatim planin e tij në respektim të kuadrit ligjor sa i takon sektorit mineral, i cili në vitet e fundit është përballur me shumë probleme, deri në humbje jetësh.

“Me qëllim parandalimin e konflikteve dhe rreziqeve që rrjedhin prej veprimtarive minerare në zonën e Bulqizës, dhe në respekt të zbatimit të detyrave të lëna gjatë këtyre kontrolleve të ushtruara në vazhdimësi, ku rezulton shkelje e rregulloreve, në zbatim të ligjit minerar shqiptar, ministri i Ekonomisë ka firmosur pezullimin e 7 lejeve; si dhe reduktimin e sipërfaqeve të shfrytëzimit minerar për 5 leje, të cilat mbivendosen me zona të rrezikshme të krijuara gjatë shfrytëzimit minerar të viteve të fundit”, deklaroi dje drejtori i Politikave të Zhvillimit, Dritan Ylli.

Po ashtu, në zbatim të Planit të Veprimit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur dhe një Projekt Vendim të Këshillit të Ministrave, i cila përcakton qartë koordinatat e zonave të rrezikshme dhe ndalon rreptësisht shfrytëzimin minerar në këto sipërfaqe, duke evidentuar dhe parandaluar aksidentet e mundshme.
Për zbatimin e këtij plan veprimi, përgjegjës për realizimin e të cilit janë Ministria e Ekonomisë,

Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, është ngritur një Task-Forcë e posaçme nën drejtimin e prefektit të Qarkut të Dibrës. Ky i fundit ka shprehur rezerva për disa çështje që lidhen me kompanitë që abuzojnë me kontratat.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›