E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ada, 200.000 lekë për të mundur Besën

Nga Gjergj Kola

Për velipojakët duket se kanë marrë fund problemet financiare të sezoneve të fundit dhe ditë të mira duken në horizont. Fitoret në kampionatin e saponisur do të shoqërohen me shpërblime financiare për velipojakët. Kështu, për fitoren në Burrel, donatori Lazër Matia e ka shpërblyer ekipin me 100.000 lekë. Paratë u janë shpërndarë futbollistëve menjëherë në dhomat e zhveshjes, duke e bërë edhe më të këndshme fitoren me shumë vlera ndaj matjanëve.

Por shpërblimet nuk do të ndalen këtu. Për ndeshjen e sotme me Besën, që do të luhet në fushën sportive Adriatik të Velipojës, mësohet se kryekomunari Pashko Ujka ka vënë në dispozicion të ekipit një shumë prej 200.000 lekësh për fitoren. Një shpërblim i tillë pritet ti motivojë më tepër velipojakët, të cilët e kanë nisur me shumë dëshirë këtë kampionat. Nuk përjashtohet mundësia që edhe donatorë të tjerë të vendosin shpërblim, sepse të mundësh Besën nuk është gjë e vogël.

Fitorja e javës së parë e ka rritur moralin dhe tashmë kërkohet fitorja e dytë. Stafi drejtues me shumë mundësi nuk do të bëjë asnjë ndryshim në formacion, në krahasim me ndeshjen e javës së kaluar. Po ashtu, mësohet se në Velipojë, meqë është ndeshja e parë e kampionatit në këtë fushë, do të zhvillohet edhe një ceremoni e thjeshtë për lënien e futbollit dhe shkelmimin e topit të parë pikërisht nga presidenti i ekipit dhe ish-futbollist i Adës, Alfred Pjetri.

Atmosfera duket e këndshme, pasi vjen Besa dhe ka interesim të madh nga sportdashësit velipojakë. Garancia financiare që ka dhënë komuna e ka rritur besimin te sportistët, që kanë premtuar të bëjnë më të mirën këtë kampionat. Fitorja e mundëshme me kavajasit do ta rriste edhe më shumë moralin e tyre, prandaj dhe në Velipojë të gjithë kanë besim për 3 pikët e radhës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›